Telegrafi

Ndodh edhe kjo – ishte “shumë i rëndë”, pesë pasagjerëve iu kërkua të zbrisnin nga aeroplani në fluturimin Londër-Milano

Foto Ilustrim: Aeroplani i mbushur me pasagjerë

Pasagjerët në bordin e një aeroplani me destinacion Milano, gati për t’u nisur nga Londra, mbetën të shtangur kur stafi i linjës ajrore kërkoi “pesë vullnetarë” për të zbritur nga aeroplani.

Dhe kjo vetëm e vetëm sepse pesha e tij ishte shumë e rëndë.

Ngjarja e çuditshme, e dokumentuar në një video në Instagram nga gazetari italian Gianluigi Nuzzi, ndodhi në aeroportin e qytetit të Londrës në bordin e një fluturimi të ITA Airways të enjten.

Që të gjithë pasagjerët kishin hipur në aeroplanin i cili do të ngrihej në orën 13.45, por u vonua për shkak të erërave të forta.

Kushtet e pafavorshme të motit bënë që aeroplani të kishte nevojë për karburant shtesë, për të përballuar një ngritje më të gjatë, megjithatë kjo e bëri aeroplanin të kishte peshë “shumë të madhe”, raporton një medium italian, transmeton Telegrafi.

Pasi priti kot që era të shuhej, ekuipazhi i kabinës nisi kërkesën e pazakontë, me mirësjellje të një gazetareje tjetër italiane, Alessia Tarquinio, e cila spontanisht mori rolin e përkthyeses.

“Ata janë në kërkim të katër burrave dhe një gruaje të gatshëm të largohen…në minutat e ardhshme do t’ju bëjnë një ofertë”, thotë Tarquinio në video, duke bërë shaka se ajo nuk do të mund të zbriste pasi ishte e zënë duke punuar.

Një pasagjer sugjeroi që “kapiteni dhe stjuardesat” të dalin si vullnetarë, një propozim që nuk u pranua.

Pas negociatave, pesë pasagjerë u gjetën përfundimisht – dhe secili u shpërblye me një kupon prej 250 eurove dhe një transferim në Heathrow për të kapur një aeroplan tjetër për në Itali.

Fluturimi i ITA Airways, me një ngarkesë pak më të lehtë, përfundimisht u ngrit dhe mbërriti në aeroportin Milano Linate tre orë më vonë se që ishte planifikuar. /Telegrafi/