Telegrafi

Ndjekje si nëpër filma, narko-dilerët hodhën drogën nga varka kur e kuptuan se u është vënë pas policia spanjolle  

Një skenë si në filma aksion të Hollywood-it ka ndodhur në ujërat e Spanjës, ku policia e atij vendi është filmuar duke ndjekur dilerët e dyshuar të drogës me varkë – derisa kriminelët po e hidhnin në det kanabisin.

Ngjarja ka ndodhur në bregun Ajamonte në Spanjë, në afërsi të qytetit Uelva. Garda civile e Spanjës, ka njoftuar se kanë arritur të sekuestrojnë rreth 2,5 tonelata kanabis, transmeton Telegrafi.

Në videon e publikuar më poshtë, shihen agjentët e Gardës civile spanjolle duke ndjekur narko-dilerët, që shihen duke hedhur “mallin” në det nga frika se do të kapen dhe përfundojnë në burg.

Agjentët fillimisht kishin parë dy persona në varkë të pajisur me tre motorë, ka njoftuar policia spanjolle në kumtesën për media.

“Duke marrë parasysh mundësinë e transportimit të drogës, agjentët vendosen t’i afrohen varkës”, thuhej ndër tjera.

Narko-dilerët sapo kishin vërejtur prezencën e policisë, kishin hipur në një varkë tjetër me shpresën se do të arrijnë të arratisen – duke e lënë “mallin” në varkën në të cilin gjendeshin më herët.

Megjithatë ata përfunduan në pranga, kurse agjentët janë duke vazhduar hetimet për të përcaktuar se droga e transportuar kishte për synim tregun e Amerikës së Jugut. /Telegrafi/