Site icon Telegrafi

A ndikon fushata elektorale te qytetarët e pavendosur, flasin analistët

Qytetarëve të Republikës së Kosovës, fushata e partive politike në prag të zgjedhjeve nuk u ndihmon të zgjedhin se ku do ta vendosin votën. Kështu thuhet në raportin e organizatës Demokracia në Zhvilim. E sipas njohësve të çështjeve politike, vetëm gjuha retorike që përdorët në fushata u ndihmon qytetarëve të pavendosur.

Fushata zgjedhore e partive politike, Mustafa Ahmetit, nuk i ndihmon në vendimin se ku do ta vendos ai votën e tij, në zgjedhjet e 6 tetorit

Ai tha se nuk ka shumë ndikim ngase paraprakisht ka përcjellë programet e partive

“Te unë nuk ka ndikim shumë, për arsye se lexoj dhe përcjell programet e partive politike dhe atë që e preferoj dhe që është më i volitshëm për të gjithë, e votoj”, tha qytetari Mustafa Ahmeti.

E sipas qytetarit Ismet Haziri, ata ndikohen nga shumë faktorë të tjerë e jo nga fushata.

“Fatkeqësisht qytetarët nuk kanë atë nivel të tillë të vetëdijes politike për të përzgjedhur më të mirët. Akoma janë të ndikuar nga emocionet, ndikimet nepotiste, krahinore regjionale e të tilla”, deklaroi qytetari tjetër Ismet Haziri, përcjell Telegrafi.

Sabri Rexha gjithashtu ka vendosur para fushatës se kë do të votojë.

“I kam qëndrimet e mia qysh më herët kënd do ta votojë”, deklaroi Sabri Rexha.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve politike Rasim Alija, fushata zgjedhore ka ndikim tek qytetarët, ngase sipas tij, retorika e përdorur nga politikanët ndikon tek qytetarët e pavendosur.

“Sigurisht se fushata zgjedhore ka ndikim te qytetarët. Mbi të gjitha ka ndikim në aspektin e retorikës që përdorin politikanët. Jo rastësisht gjatë fundit të fushatës zgjedhore nxehen tonet, eliminohet kjo pjesa e programeve. Flitet shumë më pak për programe e shumë më tepër ka retorikë, sepse e dinë edhe subjektet politike që elektorati i pavendosur zgjohet.

Përndryshe, sipas një ankete të realizuar në vitin 2018 nga organizata Demokracia për Zhvillim (D4D), 60% e qytetarëve vendosin se për kë do të votojnë, më shumë se një muaj para zgjedhjeve, 25% muajin e fundit, 5% , pesë ditë para zgjedhjeve dhe 3 % ditën e zgjedhjeve./Telegrafi/

Exit mobile version