Site icon Telegrafi

Ndikimi i podcast-eve në garën presidenciale

Ndërsa sondazhet tregojnë se kandidatët presidencialë, Donald Trump dhe Kamala Harris janë të barabartë në shtetet kyçe, ata po ia përkushtojnë disa nga momentet e fundit të fushatës së tyre mediatike – PODCAST.

Por, shtohet pyetja sesa ndikim kanë këto emisione?

Pas muajsh spekulimesh, lajmi për paraqitjen e Donald Trumpit në podcastin “Joe Rogan Experience”, tronditi industrinë mediatike.

Me vetëm disa ditë para zgjedhjeve amerikane, Kamala Harris refuzoi ftesën e Joe Roganit, duke zgjedhur të fliste për Club Shay Shay, podcast i drejtuar nga kampioni i trefishtë i Super Bowlit, Shannon Sharpe, shkruan euronews.

Me një garë të ngushtë dhe kohën që po kalon, përse kandidatët presidencialë amerikanë po zgjedhin t’i kalojnë momentet e fundit të fushatës me drejtues të podcasteve?

Dhe çfarë ndikimi kanë vërtetë podcastet, të drejtuara nga figura si Rogan – ish-komedian i ‘stand-up’ – në garën presidenciale amerikane?

Podcast – një ambient i rehatshëm 

“Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kemi parë zhvillime të ndryshme në botë, ku politikanët kanë kaluar nga gatishmëria për t’u përballur me pyetje të vështira në mënyra shumë më informale për të arritur te audiencat”, tha Nic Newman, studiues i lartë në Institutin Reuters për Studimet e Gazetarisë.

Në garat e kaluara, kandidatët presidencialë kurrë nuk do të shmangnin intervistat në programe si “60 Minutes”, programi i intervistave të kanalit publik amerikan CBS. Tani, të dy kandidatët janë kritikuar për shmangien e intervistave të drejtpërdrejta në media.

“Ka një lloj egoje kur je i ftuar në një podcast, është një lloj rehatie. Për politikanët është më pak e rrezikshme sepse është një bisedë shumë më miqësore”, pohoi ai.

Ndërkohë që mediat tradicionale nuk mund të mbështeten në karizmën apo simpatinë e një gazetari për një intervistë presidenciale, shumë drejtues të podcasteve krenohen me qasjen e tyre të çlirët ndaj intervistës. Ata mund të jenë të guximshëm për të bërë disa pyetje të mëdha, por kur vjen puna te kundërshtimi, zakonisht është i kufizuar.

“Për dëgjuesit, podcastet humanizojnë politikën në një mënyrë që i bën njerëzit të identifikohen dhe i angazhojnë në një mënyrë tjetër. Politikanët mund të shihen në një dritë të ndryshme nga ajo që shpesh paraqitet në lajme, ku zakonisht përfshihen në debate të diskutueshme ose në një frazë të shkurtër”, komentoi Newman.

Cilët votues synojnë të tërheqin kandidatët?

Ndërsa kandidatët presidencialë amerikanë kanë marrë përkrahje prej figurave të njohura – Kamala Harris nga Taylor Swift shkaktoi një rritje të regjistrimit të votuesve – podcastet janë një mënyrë e re për t’i tërhequr votuesit e rinj.

Pjesa ku ndërthuren brezat e njohur si “Gen Z” dhe “Milenials” është demografia kryesore që dëgjojnë podcaste ndërsa ka më shumë gjasa të jenë “votues të pavendosur, të cilët kanë më pak të ngjarë të dalin dhe të votojnë”, tha për Euronews, Melissa Kiesche, zëvendëspresidente e lartë në Edison Research.

“55 për qind e të rinjve nga 18 deri në 34 vjeç nuk identifikohen as me Partinë Demokratike dhe as me atë Republikane. Ndërsa 38 për qind e këtij grupi e konsiderojnë veten të pavarur”, shtoi ajo, duke cituar raportin Infinite Dial të Edisonit.

Mosha mund të luajë një rol, por Harris dhe Trump po synojnë gjithashtu nëngrupe të këtij grupi më të gjerë, duke u fokusuar në faktorë të tillë si raca, gjinia dhe klasa sociale, transmeton Telegrafi.

“Në epokën e transmetimit masiv, intervistat zgjedhore kishin të bënin me komunikimin me sa më shumë njerëz që ishte e mundur, ndërsa tani është fjala për të folur me një audiencë specifike, shumë të veçantë”, tha Newman.

Kamala Harris: Nga votueset gra tek votuesit me ngjyrë

Kamala Harris bëri bujë kur u paraqit në Call Her Daddy, podcastin e dytë më të madh në Spotify pas Joe Rogan Experience.

Drejtuesja e podcastit, Alex Cooper, nuk e filloi intervistën duke e pyetur 60-vjeçaren për çështje të ashpra politike. Megjithatë, ndërsa biseda vazhdonte, zëvendëspresidentja theksoi rëndësinë e të drejtave të shëndetit të grave dhe qasjen në abort.

Shumë prej emisioneve në të cilat janë paraqitur si Harris, ashtu edhe Trumpi nuk janë podcaste politike. Drejtuesit shpesh kanë karriera të mëparshme në industrinë e argëtimit dhe sportit. Këta drejtues zakonisht nuk flasin për politikë, dhe shumë kanë frikë se kjo mund t’u kushtojë bazën e zakonshme të dëgjuesve të tyre.

Tridhjetëvjeçarja Cooper, e cila e nisi podcastin pak pas përfundimit të universitetit, kërkoi falje ndaj fansave për përfshirjen e politikës në emisionin e saj. “Dua që Call Her Daddy të jetë një vend ku të gjithë ndihen rehat duke u lidhur”, tha ajo.

Harris u intervistua gjithashtu në All That Smoke, të drejtuar nga ish-basketbollistët Matt Barnes dhe Stephen Jackson – një paraqitje ku besohej se po përpiqej të tërhiqte votuesit e rinj me ngjyrë, duke folur për identitetin racor si dhe për mbështetjen e saj për legalizimin e marihuanës.

Pavarësisht thashethemeve për shfaqjen si e ftuar në Joe Rogan Experience, ekipi i fushatës së Kamala Harrisit deklaroi se ajo nuk do të paraqitej në emision për shkak të “çështjeve të orarit” gjatë “këtij periudhe të fushatës”.

Zgjedhjet e Trump: Një audiencë mashkullore

Në intervistën tre orëshe në podcastin e Roganit, Trump foli hapur për disa nga ish-anëtarët e stafit duke pohuar se ndiente keqardhje që i kishte emëruar, për bisedat e tij me Kim Jong-un rreth “lehtësimit” të përdorimit të armëve bërthamore ndërsa për presidentin rus, Vladimir Putin deklaroi se “nuk do të kishte hyrë kurrë” në Ukrainë po të ishte ai president i SHBA-së.

“Mesatarisht, programi arrin rreth 19.5 milionë amerikanë mbi moshën 13 vjeçare në të gjitha platformat”, tha Kiesche.

Të dy nuk kanë mendime të njëjta, ku Rogani e kishte quajtur Trumpin “një kërcënim ekzistencial për demokracinë” në vitin 2022. Megjithatë, të dy janë gjithashtu miq me Elon Muskun dhe CEO-n e UFC-së, Dana White, aleat i afërt i republikanit. Ata biseduan për këto interesa të përbashkëta në podcast.

Sipas kërkimeve të Edisonit, 80 për qind e dëgjuesve të “Joe Rogan Experience” janë burra. Përkatësitë e tyre politike janë më të paqarta: 35 për qind identifikohen si votues të pavarur, 32 për qind si republikanë dhe 27 për qind si demokratë.

Trump ka marrë pjesë në podcaste me audienca të reja meshkuj dhe me drejtues burra, një përpjekje që besohet të jetë për të tërhequr këtë demografi votuesish.

“Pjesa më e madhe e podkasterëve politikë ose influencuesve janë burra në SHBA, por edhe në shumicën e vendeve të tjera. Ata flasin në mikrofonë të mëdhenj përpara të ftuarve, që gjithashtu janë shpesh burra”, tha Newman.

Emisione të tjera ku 78-vjeçari ka marrë pjesë përfshijnë “Bussin’ with the Boys,” i drejtuar nga lojtarët e NFL-së, Will Compton dhe Taylor Lewan, si dhe “Impaulsive” me Logan Paul, një ish-mundës profesionist.

Edhe pse Trumpi ka diskutuar tema të lidhura me politikën në këto emisione, asnjëherë nuk ka folur aq thellë sa në emisionin e Roganit.

Ndikimi i podcasteve të blera nga Rusia

Megjithëse podcastet mund të tërheqin dëgjuesit me natyrën e tyre të ngrohtë, familjare, ato më të suksesshmet nuk janë më iniciativa të një individi të vetëm, por shpesh mbështeten nga kompani prodhimi. Shpesh, prapa këtyre kompanive prodhuese fshihen lidhje të dyshimta.

Në një rast të fundit, prokurorët amerikanë pohuan se gjashtë influencues të rëndësishëm të krahut të djathtë kanë punuar pa dijeninë e tyre për një kompani mediatike që shërbente si fasadë për një operacion ndikimi rus.

Mes këtyre influencuesve ishte Tim Pool, gazetar i kthyer në YouTuber që intervistoi Donald Trumpin në podcastin e tij.

Mendohet se kompania ka financuar fshehtas influencues për të prodhuar video në gjuhën angleze që ishin “shpesh të përshtatshme” me interesin e Kremlinit për të përçarë brenda SHBA-së dhe për të dobësuar kundërshtinë amerikane ndaj interesave ruse.

Kjo përfshinte një narrativë specifike rreth pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në fillim të vitit 2022.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk akuzon influencuesit për keqbërje, por akuzon dy punonjës të RT-së, një kompani mediatike shtetërore ruse e ndaluar në BE, për financim prej rreth 10 milionë dollarë (9.25 milionë euro) në një kompani të prodhimit të përmbajtjes me bazë në Tennessee.

Pra… A janë vërtet zgjedhja të Podcast-eve?

Shumë podcaste të suksesshme tani transmetohen edhe në video platforma dhe ditët kur podcastet ishin thjesht një audio format janë zhdukur prej kohësh.

Videot prej podcasteve mund të shpërndahen qindra mijëra – apo edhe miliona herë – në rrjetet sociale dhe në media tradicionale.

“YouTube është shumë me ndikim, pasi shumë të rinj e përdorin atë si motor kërkimi. Në vend që të hyjnë në Google, ata shkojnë në YouTube për të gjetur çdo përmbajtje apo informacion që duan të mësojnë. Këtu i gjejnë videot e podcasteve”, tha Kiesche.

Algoritmi i përdorur në platformat e shpërndarjes së podcasteve – Spotify dhe Apple – gjithashtu luan një rol në promovimin e llojeve specifike të përmbajtjes.

“Zhanri është një gjë interesante sepse vetë prodhuesi e përcakton zhanrin e tyre, të paktën brenda ekosistemit të Apple”, shpjegoi ajo dhe shtoi se “në disa raste, mund të ndodhë manipulimi i sistemit; disa podcaste politike janë etiketuar si edukative pasi ndoshta kështu renditen më lart”.

“Në Spotify dhe Apple, nuk është vetëm numri i njerëzve që dëgjojnë që ndikon në rekomandime, por edhe numri i njerëzve që kërkojnë një podcast ose e shkarkojnë atë”, shtoi Kiesche.

“Njerëzit e quajnë ‘zgjedhja e podcasteve,’ por në realitet, nuk duhet të harrojmë që ka shumë mënyra të tjera përmes të cilave njerëzit marrin informacione”, vlerësoi Newman.

“Ndikimi i rrjeteve sociale dhe ndikimi i politikanëve në TikTok janë ndoshta më me ndikim se podcastet”, përfundoi ai.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/

Exit mobile version