Site icon Telegrafi

“Ndihmuan Man Utd të fitonte”, suspendohen gjyqtarët që nuk dhanë penalltinë në favor të Wolves

Gjyqtarët përgjegjës për dështimin për t’i dhënë Wolverhampton Wanderers një penallti flagrante kundër Manchester Unitedit janë hequr nga programi i delegimit të kësaj fundjave në ndeshjet e Ligës Premier.

Unitedi fitoi me rezultat minimal 1-0 ndaj Wolves ndeshjen e javës së parë në Ligën Premier falë një goli të shënuar nga Raphael Varane.

Megjithatë, Wolves u dëmtuan në minutat shtesë të ndeshjes duke iu mohuar një penallti e pastër nga gjyqtari kryesor dhe ai përgjegjës i VAR-it.

Lexo po ashtu Ndërhyrja e Onanas ndaj Dawson krijon debat të ashpër - a ishte penallti për Wolves?

Ishte portieri Andre Onana, i cili bëri një dalje të pakontrolluar duke goditur dhe rrezuar sulmuesin e Ujqve, Sasa Kalajdzic.

Por, gjyqtari kryesor Simon Hooper, gjyqtari i VAR-it Michael Salisbury dhe asistenti i VAR-it, Richard West, nuk vendosen për penallti dhe tashmë janë dënuar.

Sipas mediumit Daily Mail, treshja e gjyqtarëve janë hequr nga programi i delegimit të kësaj fundjave në ndeshjet e Ligës Premier.

Trajneri i Wolves, Gary O’Neil tha se ai kishte marrë një kërkim-falje nga shefi i gjyqtarëve Jon Moss për gabimin dhe gjyqtarët përfshirë nuk do të jenë në krye të ndeshjeve këtë fundjavë.

Në anën tjetër, shefi i delegimit të gjyqtarëve, Howard Webb dëshiron që gjyqtarët të marrin më shumë përgjegjësi për vendimet e pasakta këtë sezon dhe ka qenë në kontakt me Wolves.

Ndeshjet e javës së dytë në Ligën Premier zhvillohet gjatë të premtes, shtunës, dielës dhe hënës. /Telegrafi/

Exit mobile version