Një nga problemet më të shpeshta të tretjes është kapsllëku. Stresi, ushqimi jo i rregullt dhe i pasur me hidrokarbure, me pak celulozë, janë vetëm disa nga shkaktarët e kapsllëkut ose të obstipacionit. Kjo shprehet me zvogëlimin e numrit të jashtëqitjeve, të cilat janë shpesh edhe të forta, si dhe me fryrje. Nga ky problem sot vuan çdo i treti njeri, më shpesh gratë, ndërsa rritet me shtimin e moshës. Personat që kanë jashtëqitje jo të rregullt, shpesh ndihen të lodhur dhe jo mirë, sepse organizmi nuk ka sukses të lirohet nga toksinat që ndalen në zorrë. Komplikimet më të shpeshta janë ndjenja e peshës, fryrja dhe dhembjet në bark.
Shkaktarët më të shpeshtë të obstipacionit janë:
• Ushqimi pa fijeza natyrale
• Pasiviteti fizik, që ndodh tek personat të cilët për shkak të natyrës së punës pjesën më të madhe të ditës e kalojnë ulur
• stresi dhe tendosja
• udhëtimet e shpeshta
• përdorimi i disa ilaçeve
• mund të jetë simptomë e ndonjë sëmundjeje tjetër
• obstipacioni mund të jetë i shkaktuar edhe nga faktorë psikikë (anksioziteti, depresioni, marrëdhëniet e vështirësuara shoqërore); këtë e kanë vërtetuar shumë hulumtime.
Obstipacioni më së shpeshti është pasojë e shprehive të këqija dhe jo të shëndosha të ushqimit. Disa këshilla do t’ju ndihmojnë që të mbani ritmin e rregullt të funksionimit të zorrëve:
1. Pini lëngje të mjaftueshme
Brenda ditës duhet pirë 1,5 – 2 litra lëngje. Kjo është e rëndësishme sidomos për ata që janë të prirur për obstipacion, sepse lëngjet, nëse janë në sasi të mjaftueshme, zbusin përbërjen e zorrëve dhe lehtësojnë zbrazjen e tyre. Pini ujë, lëngje frutash, supë.
2. Çdo mëngjes hani pemë
Përdorimi i lëngjeve të pemëve ose të perimeve në shujtën e parë ditore, është laksativ i shkëlqyer natyror. Ndikimi i tyre në punën e zorrëve do të jetë edhe më i mirë nëse çdo mëngjes në të esëll pini edhe nga një gotë ujë.
3. Sa më shumë fibra (fije)
Shumë shpesh në ushqimin tonë nuk ka fije të mjaftueshme. Këto janë të nevojshme, sepse ndihmojnë zbrazjen e zorrëve. Përdorni, prandaj, perime e pemë të freskëta e të thara, përparësi jepuni drithërave, orizit integral, bukës së zezë integrale, myslive … )
4. Lëvizni
Lëvizja e pamjaftueshme kontribuon për shfaqjen e obstipacionit. Ndërsa për tretje të rregullt nuk është e domosdoshme djersit ja në sallë ushtrimesh. Shëtitja e lehtë e çdoditshme është me shumë efekt për tretje të rregullt.
5. Bëni masazh barkut
Kështu do t’i vini në lëvizje zorrët dembele. Bëni masazh të butë, me lëvizje të njëllojta, në drejtim të akrepit të orës.
6. Gjeni kohë për kryerjen e jashtëqitjes
Stresi, nxitimi dhe mungesa e kohës, shpesh nuk na lejojnë që t’i ndiejmë sinjalet e trupit tonë, e kjo mund të ndikojë edhe në tretje. Përveç kësaj, për shkaqe të shumta ngandonjëherë e ndalojmë shtytjen natyrale për zbrazjen e zorrëve. Mundohuni t’u ndihmoni zorrëve tuaja që të bëjnë ritmin normal të funksionimit. Provoni që këtë ta bëni gjithherë përafërsisht, në kohë të njëjtë.
Si t’i shërojmë zorrët
Në shërimin e obstipacionit është me rëndësi që me kohë t’i njihni shkaqet. Ndonjëherë, për shërim mjafton vetëm përshtatja e ushqimit.
Nevojitet përdorimi i drithërave, i shumë perimeve e pemëve – këto janë ushqime të cilat përmbajnë fije celuloze, të cilat përmirësojnë tretjen, e zmadhojnë volumin e jashtëqitjes. Është mirë të konsumohen prodhime qumështore të fermentuara, krahas përdorimit të 1,5-2 litrave lëngje në ditë. Aktiviteti trupor, siç janë shëtitjet e lehta ditore, po kështu ndihmon funksionimin e zorrëve. Është me shumë rëndësi të dëgjosh trupin tënd dhe të mos ndalohet nevoja për zbrazje, kur të shfaqet. Nëse nuk arrihet ritmi normal i jashtëqitjes, domethënë nëse problemet rreth tretjes zgjasin, është mirë t’i paraqiteni mjekut i cili do ta vërtetojë nëse është fjala për çrregullim funksional të tretjes apo për ndonjë sëmundje serioze. Nëse konstatohet se është fjala për çrregullim të procesit të
tretjes, mjeku mund të propozojë laksativin nëse për këtë nuk ka kundërindikacione. Laksativët ose laksansët janë ilaçe për shërimin e kapsllëkut akut. Nëse përdorimi zgjat më shumë se dy javë, atëherë laksativët merren nën mbikëqyrjen e mjekut. /Telegrafi/