Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka falënderuar Qeverinë e Kosovës që ka ndarë 20 mijë euro për fëmijët që humbën nënën e tyre në rastin tragjik në Kamenicë.
Kastrati ka thënë se Komuna e Kamenicës në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës dhe donatorë të ndryshëm do t’iu ndërtojnë shtëpi këtyre fëmijëve.
“Dje Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për fëmijët që kanë humbur nënën e tyre nga rasti tragjik që ka ndodhur në komunën tonë. Për këtë u jam shumë mirënjohës! Si komunë po angazhohemi që këtyre fëmijëve t’u sigurojmë një kulm mbi kokë, bashkërisht me donatorë të ndryshëm që janë lajmëruar”, ka shkruar ai në Facebook.
I pari i Kamenicës ka bërë të ditur se tashmë një bamirës ka dhuruar tokën për ndërtimin e shtëpisë.
“Fatmirësisht, një bamirës i Kamenicës i cili momentalisht ka dashur të mbetet anonim, u ka dhuruar tokën për ndërtimin e shtëpisë e të tjerë janë lajmëruar për gjëra të tjera. Kamenica ime bujare”. /Telegrafi/