Ndihmëstrajnerja te Përfaqësuesja A e femrave, Kimete Haliti, ka folur për ecurinë e stërvitjeve në kampin e femrave tash e dy javë.
“Përgatitjet kanë filluar që dy javë dhe kanë shkuar shumë mirë. Vajzat janë të motivuara dhe jemi të vetëdijshëm se çka na pret atje. Besoj që do ta rregullojmë rezultatin më mirë se vitin e kaluar. Synimet tashmë veç i kemi të qarta”.
“Vitin e kaluar ishte hera që kemi marrë pjesë në gara evropiane dhe normalisht ishte më e vështirë, kurse këtë vit do ta bëjmë më të mirën e mundshme,” është shprehur Haliti për faqen zyrtare të FBK-së.
Tutje, Haliti ka folur edhe për përparësitë të cilat sipas saj janë këtë vit tek Përfaqësuesja A e femrave: “Si përparësi konsideroj se, tashmë i kemi pikat dhe qëllimet tona. Duhet vetëm të vazhdojmë drejt objektivave dhe jemi gati për paraqitjen më të mirë të mundshme”.
Përfaqësuesja A e Femrave udhëton drejt Qipros më 27 qershor, kurse lojën e parë Kosova e zhvillon kundër Maltës më 28 qershor.