Gjurmët e agjentit nervor, me të cilin supozohet të jetë helmuar politikani rus, Aleksei Navalny janë gjetur në një shishe në dhomën e hotelit ku ka qëndruar ai para se të sëmurej, ka thënë ekipi i tij.
Navalnyt i është përkeqësuar gjendja në një fluturim në Siberi në muajin gusht.
Gjermania ka thënë se ai është helmuar me agjent nervor, Noviçok.
Fillimisht ishte besuar se kritiku i Kremlinit mund të jetë shënjestruar në aeroport.
“Tani e kemi kuptuar: Helmimi është kryer para se ai të largohej nga dhoma për të shkuar në aeroport”, është thënë në një postim në llogarinë e tij në Instagram.
Navalny, figura kryesore opozitare në Rusi dhe kritiku i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, aktualisht është duke u trajtuar në një spital gjerman në Berlin.
Ekipi i tij dyshon se ai është helmuar me urdhrat e Putinit.
Kremlini mohon përfshirjen në këtë rast dhe ka thënë se nuk ka të dhëna që në këtë incident është përdorur ndonjë agjent nervor. /rel/