Boris Ruge, Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se mendon që tani nuk është situata që mund të flitet për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike, NATO.
Në një intervistë për KlanKosovën, ai është shprehur se Kosova deri tani nuk është duke ecur drejt anëtarësimit në Partneritetin për Paqe.
“Nuk mendoj se aktualisht jemi në një situatë kur mund të flasim për anëtarësim. Por e di që presidentja Osmani dhe të tjerët, kanë folur për Partneritetin për Paqe, dhe ajo natyrisht që do të ishte hapi i parë. Siç e dini, kjo është diçka që kërkon konsensus, duhet që 32 shtetet anëtare të NATO-s të votojnë për këtë dhe nuk jemi ende as ty. Nuk jemi duke lëvizur drejt Partneritetit për Paqe tani për tani. Por mendoj se fakti që përshtypja e popullit të Kosovës karshi NATO-s është kaq pozitive është, diçka që duhet ta kemi parasysh, ta vlerësojmë dhe është një hap i madh drejt së ardhmes”, ka deklaruar ai.
Ndër tjera, Ruge theksoi se NATO nuk ka hequr dorë nga mbështetja në dialogun Kosovë-Serbi, dhe se janë me shpresë së ky proces do të vazhdojë tutje.
Ruge është deklaruar edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit për të cilën, tha: “E kuptojmë që kjo urë ka qenë temë e diskutimeve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka një marrëveshje për parimet që ajo duhet të hapet plotësisht, pra jo vetëm për këmbësorë por edhe automjete, por nuk duam asnjë veprim të njëanshëm për këtë”.
Për mundësinë e shtimit të numrit të ushtarëve në KFOR, numri dy i NATO-s potencoi se deri tani është i mjaftueshëm numri që kanë në terren.