Telegrafi

Ndihma e parë personave të mërdhirë

Është shumë me rëndësi të jemi të vetëdijshëm për ndryshimet që ndodhin në lëkurë, të cilat shfaqen për shkak të ekspozimit ndaj motit të ftohtë. Morthi është një dëmtim lokal i lëkurës dhe i indeve nënlëkurore, i shkaktuar nga të ftohtit. Dëmtimet ndodhin pas ekspozimit të gjatë ndaj të të ftohtit ekstrem. Më së shpeshti i përfshin pjesët periferike të trupit: hundën, veshët, gishtat, duart dhe shputat.

Lëkura e mërdhirë bëhet e fortë, e zverdhur, e ftohtë, ndërkaq në atë pjesë të lëkurës personi nuk ndien asgjë. Nëse personin e mërdhirë e ngrohim, lëkura e përfshirë nga morthi do të ndryshohet dhe personi do të ndiejë dhembje të mëdha. Në rastet ekstreme mund të shfaqen fshikëzat, gangrena dhe dëmtimi i thellë i indeve në tejza, muskuj, nerva por edhe në kocka.

Shpejtësia me të cilën zhvillohen morthi dhe shkalla e seriozitetit të tij varen nga temperatura, ndërkaq edhe më shumë ndikojnë fryma, shkalla e lagështisë së ajrit apo gjendja e qarkullimit periferik të gjakut të personit të mërdhirë.

Rekomandohet mbajtja sa më ngrohtë e këtyre gjymtyrëve, për shembull para se pacientët të dalin nga shtëpia duhet të ngrohin mirë duart dhe këmbët. Po kështu, këshillohet veshja e çorapeve, të cilat të jenë të përbëra nga pambuku. Një tjetër këshillë do të ishte një lloj fizkulture për enët e gjakut. Këtu merren dy enë, njëra me ujë të ngrohtë dhe tjetra me ujë të ftohtë, dhe mbahen duart ose këmbët, varet ku është shfaqur morthi, dhjetë minuta te njëra dhe dhjetë minuta te tjetra. Këto arrijnë të “bëjnë” një lloj gjimnastike tek enët e gjakut dhe ato bëhen pak më elastike se më parë.

Në rastet e shfaqjes së plagëve dhe infeksioneve merret një antibiotik si dhe kremra rigjeneruese. Po kështu edhe pomadat, të cilat nëpërmjet yndyrosjes së lëkurës e bëjnë më pak të ndjeshme atë ndaj këtyre faktorëve atmosferikë. Mund të përdoret vitamino-terapia, dhe kryesisht përdorimi i vitaminës C. /Telegrafi/