Telegrafi

Ndihma e kozmetikës

Është themelore njomja e lëkurës, të cilën duhet të fillosh para moshës njëzetvjeçare. Kurimi hidrant ruan butësinë e lëkurës dhe krijon rezistencë ndaj ndikimeve të dëmshme të jashtme dhe kështu zvogëlon mundësinë e krijimit të rrudhave. Më të përshtatshme janë formulat të cilat, duke forcuar shtresën mbrojtëse të lëkurës, nxisin funksionin e saj që vetë të ruajë lagështinë. Zgjedhja e drejtë e kremit menjëherë do të veprojë. Pra, në qoftë se nuk shihen menjëherë rezultatet, duhet ndërruar kremin.

Karakteristikat e lëkurës ndryshohen gjatë moshës, stinës së vitit por edhe gjatë ndryshimeve hormonale në organizëm, ndërkaq varen edhe nga gjendja shëndetësore. Andaj, ato ndahen në lëkurë të thatë, normale dhe të njomë. Para ovulacionit apo menstruacioneve lëkura mund të bëhet më e yndyrshme dhe të mbulohet me puçërrza, ndërkaq gjatë kohës së ftohtë bëhet e thatë dhe mund të fillojë të qërohet, por në situata stresi do të bëhet tepër e ndjeshme. Gjithashtu, me kalimin e kohës lëkura bëhet më e hollë, më e dehidruar, mirëpo nuk është e rrallë as të bëhet edhe tepër e yndyrshme, me shtresën e sipërme të trashur. Preparatet për kurim duhet vazhdimisht t’i përshtaten gjendjes reale të lëkurës.

Kozmetika kundër plakjes posaçërisht është e dobishme si masë preventive. Kështu që nga mosha njëzetvjeçare duhet shfrytëzuar kremrat me antioksidante siç janë vitamina E apo ekstrakti i çajit të gjelbër (gjë që është risi). Pas moshës tridhjetëvjeçare duhet të orientohesh në preparate të cilat kthejnë elasticitetin dhe butësinë e lëkurës në mënyrë që të plotësohet mungesa e elastinës dhe e kolagjenit.

Kremi i parë i posaçëm i cili do t’ju nevojitet është i dedikuar për rajonin rreth syve, i cili është më i ndjeshëm dhe ku më herët paraqiten shenjat e plakjes.

Mbrojtja nga rrezet UV është e domosdoshme. Verës duhet përdorur kremin për rrezitje, ndërkaq dimrit mjaftojnë filtrat të cilat përmbajnë pothuajse të gjitha kremrat e ditës dhe disa pudra.

Edhe në trup, edhe në fytyrë, kremin duhet qitur nëpërmjet një masazhi të butë: kjo kërkon disa minuta, mirëpo është e shkëlqyeshme për mikroqarkullimin e gjakut, ndërkaq përshpejton dhe absorbon elementet aktive të kremit. /Telegrafi/