Një 68-vjeçar është proceduar penalisht nga autoritetet në Dibër, pasi zjarri që ndezi për djegien e shkurreve, doli jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh, me barishte dhe shkurre.
Policia e Dibrës ka marrë njoftim se në fshatin Çidhën, kishte rënë zjarr dhe zjarri po përhapej me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe, menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes së bashku me shërbimin zjarrfikës. Shërbimet e Policisë së bashku me forcat zjarrfikësve vunë nën kontroll zjarrin dhe pas disa orësh bënë të mundur fikjen e tij.
Ndërkohë strukturat hetimore të Policisë së Dibrës, falë veprimeve të shpejta profesionale hetimore bazuar dhe në inteligjencën policore bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasin H.K., 68 vjeç, banues në Dibër.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës. /TCH/