Telegrafi

Ndezi zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën 22 hektarë tokë, arrestohet i dyshuari në Fier

Policia e Shtetit ka njoftuar të shtunën se është raportuar për një rast zjarrvënie në kodrat e fshatit Libofshë.

Sipas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier janë nisur menjëherë drejt zonës, së bashku me shërbimet zjarrfikëse.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale bëhet e ditur se është identifikuar dhe është vënë në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi A. B., 62 vjeç, banues në fshatin Libofshë.

“62-vjeçari ka ndezur zjarr në tokën e vet, për të djegur disa mbeturina bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur 20 hektarë tokë e mbjellë me bimësi, 2 hektarë tokë e mbjellë me drurë dhe 500 pemë ulliri”, thuhet në komunikatën për media.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

“Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës”, ka apeluar policia. /Telegrafi/