Ministrja Dhurata Hoxha paralajmëroi ndëshkime për noterët që mund të inkurajojnë gratë të heqin dorë nga trashëgimia.
Në fillim të këtij muaji Ministria e Drejtësisë dërgoi në Kuvendin e Kosovës tri projektligje që pretendohet të përmirësojnë të drejtat e grave në trashëgimi.
Projektligji për Noterinë, për Procedurën Jokontestimore dhe për Trashëgiminë kaluan leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa emisioni “Drejtësia në Kosovë”, vë në pah risitë që do të sjellin këto tri projektligje.
E rëndësisë së veçantë në këto tri projektligje është fakti që me hyrjen në fuqi të tyre, trashëgimitë sipas marrëveshjes do të trajtohen vetëm nga noterët, e jo edhe nga gjykata siç ishte deri më tani.
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, thotë se me këto ndryshime synohet të fuqizohet roli i gruas me qëllim të realizimit të të drejtave pronësore.
“Qëllimi i vetëm i procedimit të këtyre projektligjeve është të përmirësojmë dispozitat në të cilat fokusohet ligji për trashëgiminë e gruas sidomos dhe përmirësimi i legjislacionit aktual aty ku kemi pa vështirësi në zbatimin e neneve që promovojnë trashëgiminë e gruas”, tha Hoxha.
Hoxha më tej tha se me këto ndryshime synohet të shmangen zvarritjet e lëndëve të kësaj natyre.
“Qëllimi ka qenë që gratë të promovohen në trashëgimi, pra të mos mbesin me procedurë të panevojshme burokratike nëpër gjykata dhe tani e tërë kjo ka kaluar në zyrën e noterit. Pra kur çështjet e trashëgimisë nuk janë të kontestueshme vendos noteri”, tha Hoxha.
Hoxha tha se ka edhe ndryshime tjera që kanë paraparë projektligjet e që pritet të përmirësojnë ndjeshëm pozitën e gruas.
“Një nen tjetër që kemi arritur të ndryshojmë në të mirë të grave është gjithashtu se noteri para se të vendosë për ndarjen e trashëgimisë i fton sidomos gratë dhe sigurohet në një seancë se nuk ka pasur ndonjë presion dhe tek pastaj vendoset për ndarjen e pasurisë”, tha Hoxha.
Ajo deklaroi se përmirësim është bërë edhe në pjesën e legjislacionit në lidhje me partnerët që bashkëjetojnë.
Duke ditur që në të kaluarën ka pasur raportime se gjyqtarë të caktuar me pyetjet e tyre kanë inkurajuar gratë të heqin dorë nga trashëgimia, Hoxha paralajmëroi noterët që kjo do të ndëshkohet nëse ndodh.
“Ne me ligjin e ri kemi paraparë masa për disiplinim e noterëve e këto masa nuk nënkuptojnë vetëm situata të tilla për shkele të kodit, etikës apo të tjera, porse në praktikë a po e zbatojnë ligjin në përpikëri siç është e paramenduar që ligji të zbatohet dhe nëse vërejmë që në këtë aspekt të zbatimit të ligjit gratë po inkurajohen që në një mënyrë apo tjetër që të heqin dorë apo mos ta pranojnë trashëgiminë atëherë padyshim që do të marrim masa”, tha Hoxha.
Për qëllim të informimit të drejtë të noterëve lidhur me zbatimin e ligjit të ri, Hoxha tha se do të organizohen trajnime edhe për noterët por edhe do të organizohen fushata vetëdijësuese, ndërsa deklaroi se mirëpret edhe kontributin e shoqërisë civile.
BIRN ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës rekomandimet në këto projektligje në Komisionin për Legjislacion duke shprehur edhe gatishmërinë për të marrë pjesë aktivisht në grupet punuese. /Kallxo.com/