Site icon Telegrafi

Ndeshjet ku do të mungojnë Xhaka dhe Shaqiri nëse dënohen nga FIFA

Festa e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit (Foto: Getty Images)

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri rrezikojnë nga dy ndeshje moslojë për festën e tyre në fitoren e Zvicrës (2-1) kundër Serbisë në kuadër të fazës grupore të Kampionatit Botëror.

FIFA ka nisur një hetim për shkelje eventuale të rregullores dhe shfaqje të mesazheve politike dhe ofenduese nga dy mesfushorët shqiptarë, të cilët i festuan golat e tyre duke formuar shqiponjën.

https://twitter.com/kosovanfooty/status/1010881755958693888

Simboli i shqiponjës me duar është konsideruar si provokim nga serbët, të cilët kanë bërë reagim te shtëpia më e madhe e futbollit në botë me kërkesë që dy futbollistët nga Kosova të dënohen.

Neni 54 i Kodit disiplinor të FIFA-s, mes tjerash, thotë: “Kushdo që e provokon publikun e përgjithshëm gjatë një loje futbolli do të pezullohet për dy ndeshje dhe do të dënohet me së paku 5.000 franga zvicerane”.

Nëse shpallen fajtorë dhe marrin dënimin maksimal, Xhaka dhe Shaqiri nuk do të luajnë në ndeshjen e fundit të Zvicrës në Grupin E kundër Kosta Rikës.

https://twitter.com/kosovanfooty/status/1010882270369144832

Helvetikët duhet të nxjerrin së paku një barazim në atë ndeshje për të pasur gjithçka nën kontroll në lidhje me kualifikimin.

Po ashtu, dy mesfushorët shqiptarë do të mungonin edhe në ndeshjen e 1/8 së finales, ku Zvicra do të luajë ndaj Gjermanisë, Meksikës apo ndaj Suedisë, varësisht nga renditja përfundimtare e këtyre skuadrave në grup.

FIFA ka nisur hetim edhe kundër Serbisë, pasi një grup tifozësh kanë mbajtur fanella me portretin e kriminelit të luftës, Ratko Mladic.

https://twitter.com/kosovanfooty/status/1010895665977810944

Po ashtu, duke u hetuar është edhe trajneri Mladen Krstajic për deklaratat e tij pas ndeshjes.

Komiteti disiplinor i FIFA-s e ka gjobitur me 10.000 franga zvicerane Federatën Polake të Futbollit për shkak se fansat kishin mbajtur një baner politik dhe ofendues gjatë ndeshjes kundër Senegalit.

Procedura disiplinore janë nisur edhe kundër federatave të Argjentinës dhe Kroacisë për shkak të sjelljeve të tifozëve. /Telegrafi/

Exit mobile version