Telegrafi

Ndeshje vendimtare në Gjakovë, Vëllaznimi pret Drenicën

Java e 26-të në elitën e futbollit kosovar do të vazhdoj ditën e sotme (e diel) me dy ndeshje të tjera.

Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në qytetin e Gjakovës.

Vëllaznimi dhe Drenica do të luajnë një ndeshje vendimtare mes tyre.

Aktualisht gjakovarët janë në pozitën e nëntë (vend që i dërgon në barazh) me 32 pikë të tubuara.

Kundërshtari i Vëllaznimit, Drenica ndodhet një pozitë më lartë me katër pikë më shumë se gjakovarët.

Kësisoj ndeshja mes këtyre dy skuadrave pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tyre.

Një fitore e Vëllaznimit do ta hapte shumë garën se kush do të mbetej në barazh, ndërsa Drenicës do t’i konvenonte edhe barazimi për ta lënë mbrapa Vëllaznimin.

Dy skuadrat janë edhe në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ku ndeshja e parë në Skenderaj përfundoi pa fitues 1-1.

Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së sotme do të zhvillohet në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.

Dy skuadrat me pikë të njëjta (39), Llapi dhe Gjilani do t’i masin forcat mes vete.

Të dyja takimet fillojnë nga ora 14:00. /Telegrafi/