Java e 27-të në elitën e futbollit kosovar do të startojë me tri takime interesante ditën e sotme.
Padyshim që ndeshjet më interesante të ditës së sotme do të zhvillohen në Skenderaj dhe Prishtinë, ku luajnë katër skuadra që po kërkojnë ta shmangin rënien në Ligën e Parë.
Drenica që barazoi së fundmi te Feronikeli është nikoqir i Trepçës ’89, në një ndeshje ku fitorja e vendasve do t’i bënte ata të jenë më të qetë.
‘Minatorët’ udhëtojnë të mobilizuar për këtë takim, pasi nuk i lejohet humbja sepse mund të jetë fatale për tu larguar nga Superliga.
Kjo përballje e dy skuadrave rajonale do të gjykohet nga gjyqtarët e FIFA-s, si Genc Nuza me ndihmësit Fatlum Berisha e Bujar Selimaj.
Nxehtë pritet të jetë edhe në kryeqytet ku në stadiumin e Flamurtarit, kuqezinjtë do t’i bëjnë konak Ferizajt.
Dy skuadrat në ndeshjen e fundit morën barazime, ndërsa pritet të jetë një ndeshje shumë e luftuar mes dy ekipeve që po kërkojnë shpëtimin.
Takimi mes Flamurtarit dhe Ferizajt do të gjykohet nga gjilanas Shpëtim Murtezi me ndihmësit Jashari e Kelmend.
Ndërkohë Drita në Gjilan do ta ketë një përballje të lehtë së paku në letër, pasi pret skuadrën e fundit në tabelë Dukagjinin e Klinës.
Bardhekaltërtit synojnë t’i marrin tri pikë të reja për të vazhduar shkëputjen në krye të tabelës. /Telegrafi/
Ipko Superliga e Kosovës – Java e 27-të
E diel
Drenica – Trepça ’89 (17:00)
(G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, G. Shala)
Flamurtari – Ferizaj (17:00)
(Sh. Murtezi, F. Jashari, V. Kelmendi, F. Tahiri)
Drita – Dukagjini (17:00)
(T. Maloku, J. Musolli, E. Bicaj, B. Kosumi)