Site icon Telegrafi

Ndeshje interesante në Podujevë, Llapi pret liderin e Ipko Superligës

Flamurtari i Prishtinës ka qenë befasia më e këndshme në këtë fillim kampionat.

Skuadra nga kryeqyteti kosovar Prishtina, ka arritur që në katër ndeshjet e para të marrë po aq fitore dhe të kryesoj i vetëm në Superligë.

Por në javën e pestë Flamurtarin e pret një udhëtim tejet i vështirë.

Llapi i Bylbyl Sokolit do të jetë nikoqir i Flamurtarit në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë.

Llapjanët janë aktualisht në pozitën e tretë me nëntë pikë tri më pak se Flamurtari, dhe një fitore eventuale e vendasve do t’i dërgonte në krye të tabelës.

Pamje nga ndeshja e edicionit të kaluar mes Llapit dhe Flamurtarit

Edicionin e kaluar në tri përballje mes tyre, dy fitore i takuan Llapit ndërsa një Flamurtarit.

Interesant pritet të jetë edhe në Mitrovicë, ku Trepça ’89 kërkon të vazhdojë me fitore.

Minatorët janë nikoqir të Drenicës dhe vijnë në këtë takim pas fitores së thellë 1-5 te KEK-u.

Dy skuadrat e fundit në tabelë, Liria dhe KEK-u do të takohen në Përparim Thaçi të Prizrenit.

Vendasit llogaritën favoritë duke marrë parasysh edhe fondin e lojtarëve, ndërsa KEK-u do të kërkojë të shkaktojë befasi. /Telegrafi/

Exit mobile version