Telegrafi

Ndeshje e jashtëzakonshme, Meksika fiton pas 15 viteve në SHBA (Video)

Meksika ka arritur një sukses historik përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Meksikanët u desh të presin 15 vite për të arritur fitore në tokën e bekuar duke e mposhtur SHBA-në me rezultat të ngushtë 1-2.

Në katër sfidat e mëparshme, SHBA kishte fituar të gjitha me rezultat identik 2-0.

Ndërkohë ndeshja e mbrëmshme ka qenë fantastike dhe e jashtëzakonshme pasi ka sjellë gjithçka, kartonë të shumtë të verdhë, karton të kuq, aksione të bukura por edhe gola dhe rivalitet të madh në fushë.

Miguel Layun kaloi meksikanët në epërsi në minutën e 20-të, ndërsa amerikanët barazuan rezultatin me të filluar pjesa e dytë ku në minutën e 49-të shënoi Boby Wood pas asistimit nga Jozy Altidore.

Pas barazimit të rezultatit, Amerika u hodh në sulm për të kërkuar golin e fitores duke pasur edhe raste të mira me Wood dhe Altidore por që nuk arritën ta bënin një gjë të tillë.

E në minutën e 89-të të takimit, ishte kapiteni veteran i Meksikës, Rafa Marques që shënoi një gol me kokë për fitoren e madhe të Kombëtares së tij.

Kësisoj SHBA i nisën me humbje kualifikimet për në Kampionatin Botëror, pasi kjo ishte ndeshja e parë në konferencën e Amerikës qendrore. /Telegrafi/