Site icon Telegrafi

Ndeshje e çmendur në Copa Libertadores – rrahje masive, tetë kartonë të kuq, por jo edhe gola në derbin e Porto Alegres

Nuk ka pasur fitues në derbin e qytetit brazilian Porto Alegre mes Gremios dhe Internacional 0-0.

Dy skuadrat e qytetit janë përballur në kuadër të Copa Libertadores, pasi janë në të njëjtin grup.

Ndeshja është dominuar nga vendasit e Gremios të cilët kishin edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve pasi në stadiumin Arena de Gremio ishin mbledhur 55 mijë tifozë.

Përderisa tifozët nuk panë gola në këtë takim, në minutën e 88-të kanë parë spektakël në fushë, që u shndërrua në arenë boksi.

Gjatë gjithë ndeshjes kishte fërkime mes lojtarëve, por në minutën e 88-të shpërtheu rrahja mes taboreve të dy ekipeve kur gjithçka nisi nga dyshja Pepe i vendasve dhe Moises i mysafirëve.

Të gjithë lojtarët u përfshijnë në rrahje mes vete, por aty grushte dhuruan edhe pjesëtarë të stafit nga të dyja skuadrat.

Rrahja mes dy ekipeve vazhdoi për disa minuta, derisa u desh intervenimi i policisë braziliane për t’i ndarë dy skuadrat.

Gjithsesi gjyqtari argjentinas Rapallini nuk qëndroi duarkryq dhe ndëshkoi tetë futbollistë me karton të kuq.

Oliviera Silva, Miranda, Luciano dhe Pepe u ndëshkuan te vendasit, derisa Edenilson, Moises, Cuesta dhe Praxedes tek mysafirët morën kartonë të kuqë.

Derbi i qytetit mes Gremios dhe Internacional gjithmonë ka sjell skena të tilla, por kjo e sotmja ka qenë ndër më të mëdhatë ndonjëherë.

Video nga përleshja masive e dy ekipeve po bënë xhiron e botës në rrjetet sociale, pasi shihet si ndër përleshjet më të mëdha që ka ndodhur në futboll. /Telegrafi/

Exit mobile version