Site icon Telegrafi

I nderuar z. Ambasador, fatkeqësisht këtë dimë!

Avdi F. Smajljaj

Nuk kemi lënë gjë pa urinuar.

E kemi urinuar shtetin, duke e kapur atë e duke mos e lënë që të zhvillohet.

I kemi urinuar institucionet, duke i kapur e mbushur me partizanë e sebepa, me nepotizëm e klientelizëm.

E kemi urinuar arsimin, çerdhet, shkollat, universitetet. E kemi urinuar të ardhmen dhe të tashmen e fëmijëve tonë.

E kemi urinuar AShAK-un me emërime partizane.

E kemi urinuar shëndetësinë. Ju lutem z. Ambasador, shkoni në spitalet publike dhe përjetoni shtypjen sistematike e strukturore. Shkoni në spitale private dhe e shihni si iu “kasiratin” kasapët.

E kemi urinuar lirinë e mediave me partizanmedia e jobjektivitet.

E kemi urinuar drejtësinë me institucione të varura të drejtësisë.

I kemi urinuar lumenjtë. Aty janë tërë ujërat tona të zeza.

I kemi urinuar pyjet duke i prerë ato.

E kemi urinuar infrastrukturën me mungesën e madhe të rrugëve e stërzgjatjen e punëve në rrugë.

E kemi urinuar urbanizmin me ndërtimet kaotike.

E kemi urinuar taksën e qytetarëve me tenderomani e tendera njëburimor.

E kemi urinuar demokracinë (që ju na e sollët) përmes autoritarizmave.

E kemi urinuar ekonominë e tregut përmes krijimit të monopoleve, mungesës së konkurrencës së lirë dhe shitjes së pasurisë kombëtare kinse si privatizim.

I kemi urinuar promovimet e vlerave fetare duke marrë mësimet fetare copy-paste interpretime të fesë nga kontekste ku nuk ka as dije as liri, e duke i bërë konvertimet fetare konvertime politike.

E kemi urinuar liberalizmin e lirinë, duke shkelur çdo ditë të drejta dhe liri të qytetarëve.

Kemi urinuar mbi traditën e mbi modernen, mbi komunitaren e mbi individin.

E kemi urinuar parlamentarizmin duke e bërë Parlamentin një ‘yes man’ të qeverisë, e duke rrënuar balancat e pushteteve.

E kemi urinuar shoqërinë civile, duke e bërë atë vegël të qeverive.

A ka diçka që nuk e kemi urinuar?!

Andaj, i nderuar Ambasador, kërkojmë mirëkuptim, këtë dimë. Kam frikë që do të urinojmë edhe brenda klubit, jo vetëm te dera.

Exit mobile version