Telegrafi

Ndërtuesit me protestë kërkojnë shkarkimin e Liburn Aliut

Kompanitë që merren me ndërtime në komunën e Prishtinës, nesër do protestojnë para Komunës së Prishtinës. Injorimi i zyrtarëve të Komunës së Prishtinës karshi kërkesave të shoqatës së ndërtimtarëve ka bërë që ata të protestojnë. Madje një nga kërkesat e tyre është edhe shkarkimi i dy zyrtarëve komunal, Liburn Aliut dhe Ergyn Hajredinit.

Kryetari i shoqatës së ndërtuesve, Brahim Selimaj, i ka ftuar të gjithë ndërtuesit që nesër në ora 10:00, t’i bashkohen protestës në mënyrë që t’i shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Qëllimi i kësaj proteste është që komuna, përkatësisht krerët e saj përfundimisht të heqin dorë nga kërkesat e tyre të jashtëligjshme dhe burokratike të cilat u pamundësojnë zhvillimin normal të biznese në këtë sektor. Shoqata kërkon respektimin e ligjit dhe asgjë më shumë. Andaj, ftojmë të gjithë subjektet afariste personat fizik, zejtarë dhe të gjithë të tjerët të cilët kanë pasur dhe janë dëmtuar në aspektin ekonomik që të na bashkëngjiten në protestë paqësore e cila do të mbahet me datën 23 prill, ditë e enjte në ora 10:00, dhe vend tubimi do të jetë sheshin Skënderbe”, tha Selimaj.

Sipas tij, kërkesa tjetër është edhe shkarkimi i zyrtarëve të komunës. “Shoqata del me këto kërkesa, kërkojmë shkarkimin e drejtorit të urbanizimit Liburn Aliut dhe të shefit të urbanizimit Ergyn Hajredini, këta të dy i konsiderojmë përgjegjësit kryesor për bllokimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit“, ka thënë Selimaj.

Ndryshe, Shqotat e Ndërtuesve vepron në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). /Telegrafi/