Site icon Telegrafi

Ndërtoni digën atje sipër ku buron e keqja!

Ilustrim

Krim në media nuk është tendenca e politikës për të futur hundët e ndyrë e përbaltur atë. Ndërhyrja është një konstante e vjetër e kësaj të fundit. Nuk habit. Ka edhe mekanizma për t’iu shmangur presionit të saj. Ndërhyrja e politikës është problem, e vërtetë, por jo krim: është lojë  skuadrash në arenën shoqërore.

Krim, përkundrazi, është lehtësia me të cilën media ka pranuar rënien katastrofike të nivelit të saj. Ajo tashmë ka humbur balancën, ka zbehur e zhdukur thuajse kufirin mes së mirës e së keqes.

Ndiqeni me vëmendje programet, reportazhet. Të krijohet përshtypja se në ferr hedh veç budallenjtë e varfër (të drejtët); në purgator rreshton vrasës, kusarë, mashtrues, dhunues e zjarrvënës; në parajsë sistemon botoks e kokainë, idiotë e kriminelë të pasur. E, një lëtyrë farfuritëse e kutërbuese i mbështjell të gjithë.

Këtë rrënim e kanë nxitur e urdhëruar editorët, si dhe ata që “i bënë” editorët. Ndodh kur votat sjellin bashkë pushtetin e paditurinë; shto edhe makutërinë, babëzinë, revanshin, dritëshkurtësinë, rreshkjen e shpirtit nën tymin e parasë; ndodh kur vendos të drejtohesh nga ata me mungesë të dukshme dashurie e dhembshurie ndaj të ngjashmit. Politikanë, editorë, shërbëtorë e servilë e puthadorë e qehallarë e argatë e të pamend e të hurit e të litarit, kanë cytur e yshtur drejt një vulgariteti ekstrem, kanë rrënuar artin, letërsinë, muzikën … Shihni sheshit rrugaçërinë e “heronjve e idhujve të sotëm”, nëse doni të qani pa fund e pa shpresë:

shumë kofshë e pak fantazi
shumë gjinj e pak dëshirë
shumë veshje e cullakë në dije
shumë kartëmonedha e hiç libra …

E, kur dhia ha librat, mbetet me fjalorin e cungët e të shkalafitur, me frazat e varfra, me banalitetin ekstrem në tekste, në zë e figurë.

Ndiqni televizionet, portalet me fraza të pagdhendura, me fjalë pa lidhje, pa presje, pa lidhëza, me dalje nga konteksti, me përsëritje të kota, pa strukturë në kompozimin e lajmit, pa argumente, pa përzgjedhje e renditje të informacionit, pa kronologji, pa një lajm pozitiv (hera herës nuk do të bënte dëm).

Shkruhet e flitet një shqipe e keqe, e tmerrshme, banale, skeletike … sepse, fjalori është kriminalisht i varfër, as në kufijtë e minimumit. E, një fjalor i varfër nuk ka fuqi të lëvizë e ngacmojë ndjenjat a emocionet e njerëzve, të cilat, për pasojë, atrofizohen dita me ditë. Një fjalor i reduktuar në kockë,  shkatërron fantazinë, e fantazia përmbys të ardhmen e më tej shemb njeriun.

Nuk lexohet, nuk ka etje për studim, për njohje, për dije, për pasurim shpirtëror e intelektual. Rrjedhimisht mungon shprehja e kjo shterpësi në gjuhë është shterpësi në mendim, në ide, në argumentim. E, për të balancuar një mungesë të tillë të frikshme, thirret në ndihmë forca – e forca merr “planin e parë”, bëhet modë, tendencë, ardhmëri … sepse, me fjalë është e vështirë të fitosh kur dhia t’i ka ngrënë librat.

Nuk di çfarë ka bërë Adi Krasta. E kam njohur veç në fillimet e tij në televizionin shqiptar si një gjetje fatlume e Vera Grabockës për spektaklet e saj. Kaq. Kalë i vyer për bereqetin e atij lëmi. Më tej nuk di vërtet çfarë ka bërë.

Di çfarë nuk ka bërë, këtu në Kosovë të paktën: Duket se nuk e ka bërë të qartë se gazetaria është mision, profesion, nuk ka të majtë, të djathtë, nuk është në pushtet, as në opozitë. Në oponencë po. Përherë. Gazetaria e vërtetë ka shtyllë kurrizore, të thyeshme ndonjëherë, por të përkulshme kurrë. Nuk kafshon brenda llojit. Të qenit gazetar nënkupton lexime të pafundme, fjalor magjepsës, kuriozitet të pashtershëm, përvoja e shumë dashuri për vendin, shumë dashuri për njerëzit; kërkon një përgatitje e dije prej Solomoni e një burrëri të lindur si tek i ati, mbreti David.

A jemi në këtë nivel?

Exit mobile version