Telegrafi

I “ndërtoi varrin” presidentit Putin, aktivisti rus dënohet me burgim (Foto)

Një gjykatë në Rusi ka dënuar një burrë me 28 ditë burgim për krijimin e një varreze të rreme të presidentit Vladimir Putin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aktivisti Karim Yamadayev u dënua të martën në qytetin e Naberezhnye Chelny për një shkelje të përsëritur të ligjit për mbajtjen e ngjarjeve publike.

Ai tha se po protestonte kundër një projektligji mbi “internetin sovran të Rusisë”, duke thënë se kjo kërcënonte lirinë e fjalës.

Ndryshe, të mërkurën, Rusia kaloi dy ligje që penalizonin mosrespektimin e autoriteteve dhe përhapjen e lajmeve të rreme.

Ndalimi i parë i referohet “mosrespektimit të hapur” të shtetit, zyrtarëve të tij dhe shoqërisë ruse, dhe ata që shkelin një ndalesë të tillë përballen me deri në 15 ditë burgim.

Projekt-ligji i dytë ndalon ndarjen e “informacioneve të rreme të interesit publik, të ndara nën maskën e lajmit të rremë”.

Gazetarët, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe madje ministrat e qeverisë ruse kanë shprehur kundërshtimin e tyre, ndërsa disa kanë folur për një “Perde të Hekurt” në internet që po ngrihet nga Rusia.

Nën Presidentin Putin shteti rus ka marrë kontrollin e kanaleve kryesore televizive dhe mediave të tjera kryesore, kështu që zërat e opozitës janë kryesisht të kufizuara në mediat sociale. /Telegrafi/