Ngjarja e rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, ku u vrarë Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dauti, ka qenë e ngjashme me një skemë filmi. Ata janë ndjekur dhe janë qëlluar në makinën e tyre tip “Audi”.
Mësohet se ish-shefi i krimit ekonomik në Tiranë, Ervin Dalipaj, prej kohësh në arrati, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut po lëvizte me një makinë “Audi” së bashku me mikun e tij, Juxhin Dauti, në momentin që një makinë e zezë i ka ndjekur nga pas.
Të dyja mjetet lëviznin me shpejtësi marramendëse në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, ndërsa atentatorët qëllonin me breshëri kallashnikovi në drejtim të Dalipajt e mikut të tij. Në një moment, siç raporton “News24”, të dyja mjetet kanë qenë paralel dhe ecnin me shpejtësi.
Automjeti është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ndërsa gjurmët e plumbave janë të dukshme në pjesën e përparme dhe sidomos në pjesën e shoferit. Si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe të shtënave pa pushim, automjeti ka përfunduar në autostradë tejet i dëmtuar, madje i kanë dalë edhe gomat.
Sipas burimeve policore, si Dauti ashtu edhe Dalipaj kanë mbetur të vdekur në vend. Sipas një dëshmitari në vendngjarje, një fshatar që punonte tokën automjeti i zi është larguar në drejtim të Shajakut.
Policia ndodhet ende në vendngjarje dhe po mbledh gëzhojat për të kuptuar nëse ka pasur apo jo shkëmbim zjarri mes dy makinave. E gjithë zona prej 1 km në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës nuk lejohet për qarkullimin e mjeteve apo njerëzve, pasi hetimet në vendngjarje vijojnë. Policia po kontrollon edhe subjektet aty pranë nëse kanë kamera që t’ju vijnë në ndihmë për të rënë në gjurmët e atentatorëve.