Në Prishtinë edhe këtë verë po mbahet edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të muzikës “Sunny Hill”, i cili po bën diferencën në nivel vendor, rajonal, por edhe më gjerë.
Tashmë kanë mbetur edhe pak ditë deri te fillimi i këtij festivali, përderisa në datat 2, 3 dhe 4 gusht do të ngjiten plot artistë të famshëm vendorë, në mesin e tyre edhe disa yje ndërkombëtare si Calvin Harris, Miley Cyrus e G4shi.
Por, përveç artisteve të mëdhenj që do performojnë, këtë vit organizatorët e “Sunny Hill” janë përkujdesur edhe për pjesëmarrësit, që është një numër tejet i madh i tyre.
Krahas argëtimit, një ndër atraksionet e këtij festivali është edhe skara gjigande e ndërtuar enkas për këtë eveniment madhështor nga kasapi më i njohur në Prishtinë, Blendi Zymi.
Kjo skarë do të jetë e gjatë rreth 4 metra, në mënyrë që t’i përmbushë kërkesat e të gjithë të pranishmëve dhe si specialitet kryesorë është suxhuku.
“Skara ma e madhe n’sheher, 400centimetra ose 4metra, qe nuk besoni hajdeni matne edhe e hani naj suxhuk”, ka shkrur Blend Zymi në njoftimin e tij në rrjetin social, Facebook, teksa bashkë me të është edhe bashkëpuntori i tij, Shpëtim Dula.
Ndryshe, në “Sunny Hill” prezente do jetë edhe Dua Lipa, por këtë herë si spektatore VIP, në festivalin e organizuar nga babai i saj, Dukagjini. /Telegrafi/