Ata përreth tre orë kanë punuar në këtë shesh, duke vendosur një vazo të betonit me diametër prej 1.5 metra në udhëkryqin kryesor në ‘Lagjen e boshnjakëve’, ndërsa punimet kanë përfunduar rreth orës 2:30 pas mesnate.
“Duam të sensibilizojmë çështjen në mënyrë që institucionet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër ndërtimit të sheshit ‘Car Llazar’ dhe bllokimit të rrugës tek ura që po bëhet nga ana e serbëve, ndërsa qëllimisht nuk kemi dashur të bllokojmë rrugën krejtësisht, për të mos e tensionuar situatën edhe ashtu të brishtë”, ka thënë njëri nga banorët i cili nuk ka dashur ta bëjë emrin publik.
Burime brenda banorëve shqiptarë të veriut bëjnë të ditur, se nëse nuk ndërpriten punimet në sheshin e ashtuquajtur të ‘Car Llazarit, veriut do t’i shtohen së shpejti edhe disa sheshe tjera nëpër lagjet veriore ku jetojnë shqiptarët. /Kosovapress/