Telegrafi

Ndërtohen pesë ura në fshatrat e Podujevës

Krahas projekteve në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, në katër fshatra të komunës së Podujevës, aktualisht janë duke u ndërtuar pesë ura.

Komuna e Podujevës, përmes një komunikate, bënë të ditur se po sanon pasojat e vërshimeve që goditën disa zona të trevës së Llapit, ku krahas dëmeve në bujqësi dhe ekonomitë familjare, u rrënuan dhe dëmtuan disa ura.

Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes e Shpëtimit (DSHPM) e Komunës së Podujevës, ka filluar me realizimin e projekteve të ndërtimit të pesë urave në fshatrat Majac, Repë, Metehi dhe Murgull.

Drejtori i DSHPM, Faik Muçiqi tha se tashmë është në fazën finale ndërtimi i urës “te vau” në Majac, kurse janë duke u ndërtuar urat edhe në lagjen “Shala” në Metehi dhe në lagjet “Sinani” dhe “Sejdiu” në Repë, si dhe janë duke u kryer punët përgatitore për fillimin e ndërtimit të urës te shkolla në Murgull.

Sipas Muçiqit në fshatin Majac, ku po ndërtohet ura, më parë nuk ka pasur fare urë dhe kjo ka vështirësuar qarkullimin e banorëve të lagjes nëpër lumë.

Ndërsa, në Metehi ura ekzistuese është e vjetër dhe shumë e ngushtë, andaj po ndërtohet ura e re, e cila do të plotësojë nevojat e banorëve të lagjes.

“Nga vërshimet e prillit të këtij viti, në fshatin Repë dhe në Murgull u rrëzuan disa ura, kështu që në lagjet ‘Sinani’ dhe ‘Sejdiu’ të Repës janë duke u ndërtuar dy ura, kurse gjatë këtyre ditëve do të fillojë edhe ndërtimi i urës te shkolla në fshatin Murgull, e cila gjithashtu ishte rrënuar nga vërshimet”, tha drejtori Muçiqi.

Punët në ndërtimin e pesë urave është duke i kryer kompania “Rexha”, kurse vlera e tërësishme e këtij projekti kap shumën prej mbi 63 mijë euro. /Telegrafi/