Telegrafi

Ndërtimtaria, sektori më i ndjeshëm për punëtorë

Mos respektimi i masave të domosdoshme për siguri dhe shëndet në punë është bërë fenomen shqetësues në Kosovë, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, 4 punëtorë kanë humbur jetën dhe mbi 25 të tjerë kanë pësuar lëndime në vendet e tyre të punës.

Sipas zëvendëskryeinspektorit të Inspektoratit të Punës në Kosovë, Agim Millaku, është në të mirën e punëmarrësve që të marrin masat adekuate për t’i mbrojtur punëtorët e tyre.

“Në rast të ndonjë aksidenti, dëmet janë shumë më të mëdha për punëdhënësin sesa kursimi që ka tentuar ta bëjë duke mos i blerë pajisjete nevojshme për mbrojtje të punëtorëve”, është shprehur Millaku në Ferizaj, në tryezën e rrumbullakët me temën “Rëndësia e sigurisë në punë”.

Besnik Berisha, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, në tryezën e rrumbullakët me bizneset dhe organizatat jo qeveritare të Ferizajt, ka deklaruar se është i domosdoshëm një dialog i hapur social në mes të bizneseve dhe punëtorëve që të ulet shkalla e lëndimeve dhe aksidenteve me fatalitet në vende të punës.

“Është zotim i yni që brenda këtij viti të rrisim numrin e inspektorëve dhe besoj se deri në fund të vitit do t’i kemi edhe 20 inspektorë të rinj. Përmes IP-së synojmë rritjen e numrit të inspektimeve, fuqizimin e kapaciteteve të inspektoratit të punës dhe organizimin e fushatave vetëdijesuese në fushën e kushteve të punës”, është shprehur Berisha, përcjell Telegrafi.

Në bazë të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, tashmë është obligim për secilën kompani që ka mbi 50 punëtorë, të ketë së paku një ekspert për vlerësim të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Bekim Doli, ekspert për siguri dhe shëndet në punë, ka inkurajuar kompanitë kosovare që të investojnë më shumë në pajisje të sigurisë dhe trajnim të punëtorëve, në mënyrë që të eliminohen rreziqet në punë.

“Ndërtimi është aktivitet ku lëndimet janë të shpeshta dhe të përditshme, dhe numri i tyre është gjithnjë e më i lartë. Ndërtimtaria prin si sektori me numrin më të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në punë si pasojë e pasigurisë, që vjen kryesisht nga mungesa e trajnimit të punëtorëve dhe nga mosrespektimi i rregullave bazë të sigurisë në punë”, ka thënë Doli.

Kjo tryezë e rrumbullakët është organizuar në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin e integrimit evropian” që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian.