Çka është siguria kibernetike për botën e biznesit, sa i kushtohet rëndësi kësaj fushe në Kosovë dhe si të mbrohet një organizatë nga sulmet e mundshme? Këto dhe çështje të tjera u diskutuan të premten në një event që u mbajt në HaPiTe Space.
Në eventin “Siguria kibernetike për biznese”, këto tema u shtjelluan nga personalitete të njohura dhe ekspertë në fushën e sigurisë kibernetike: Hekuran Doli – Themelues i kompanisë cingerr.com, Hafize Bajrami – Shefe e Sektorit për Mbrojtje Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Blerton Abazi – Profesor i Sigurisë Kibernetike.
Nga folësit u theksua se siguria kibernetike duhet të trajtohet si çështje me prioritet brenda organizatave, teksa u tha se në Kosovë ka ende punë për të bërë në këtë drejtim.
Hekuran Doli tregoi se në kohën kur ka filluar që të operojë cingerr.com, në vitet 2009-2010, koncepti i sigurisë kibernetike nuk ka ekzistuar brenda organizatave.
“Pronarët e bizneseve, përderisa biznesi iu ecën mirë nuk kanë se përse me u brengosë. Kam mendu se jo vetëm unë, por edhe pronarët e bizneseve të tjera duhet ta kuptojnë teknologjinë si pjesën më të rëndësishme të organizatës së tyre. Por, pasi që jam pjekur në profesion e kam kuptuar që teknologjia duhet me u kuptu si po aq e rëndësishme si secili departament tjetër i kompanisë”, tha ai.
Doli tutje u shpreh se brenda një organizate nevojiten njerëzit e duhur që udhëheqin Departamentin e Teknologjisë.
Mirëpo sipas tij, te organizatat ose bizneset në Kosovë ndodh e kundërta, pasi shumica nuk kanë departament të IT-së.
“Kërkesa ime e vetmja për biznese që departamentit të IT-së me ia dhënë rëndësinë e duhur, njëjtë sikurse departamenteve të tjera. Në ditët e sotme nuk ka nevojë në tregu sa e rëndësishme është IT-ja brenda organizatës”, shtoi ai.
Ndërsa, Hafize Bajrami foli për periudhën kur ka filluar punën në Ministrinë e Mbrojtjes, duke treguar se atëherë nuk i është kushtuar shumë rëndësi sigurisë kibernetike.
“Mirëpo, kemi pasur fat që kemi punuar me ndërkombëtarët dhe ata kanë qenë shtytësit më të mëdhenj që ne t’i ndërmarrim masat e sigurisë paralelisht me zhvillimin e proceseve”.
“Hap pas hapi duke bashkëpunuar me ta kemi filluar që t’i rrisim kapacitetet dhe tash mund të them se e kemi arritur një standard të mirë, edhe pse nuk është i mjaftueshëm por besoj se jemi në rrugën e duhur për të vazhduar”, tha Bajrami.
Por sipas saj, tani edhe lidershipi është i njoftuar me atë se çka i pret, “domethënë tash është bërë temë diskutimi siguria kibernetike”.
“Kështu që edhe nëse nuk e dinë se çfarë po ndodh, e kanë idenë që jemi të rrezikuar. Kështu që është një plus që nëse na kemi kërkesa, ata na mbështesin”.
E Blerton Abazi duke folur për situatën në Kosovë tha se pronarët ende e kanë problem që ta kuptojnë se brenda një kompanie apo biznesi duhet të jetë një ekspert i sigurisë kibernetike.
“Te ne departamentet e IT-së shihen se departamente që bëjnë kosto, pra që kërkojnë serverë e shërbime por që nuk kanë produkt. Pra, shihen si departamente që kanë kosto por jo edhe efektivitet pasi efikasiteti i tyre vërehet vetëm kur ndodh diçka e madhe”.
Ai tregoi se ka raste kur kompanitë nuk kanë investuar 20 mijë euro për ta mbrojtur sistemin, por është dashur të paguajnë 1 milionë euro për t’i kthyer të dhënat.
Abazi mes tjerash tha se 60 për qind e sulmeve ndodhin për shkak të faktorit njeri, “pasi njeriu është hallka më e dobët në sigurinë kibernetike”.
“Ne duhet me ndërtu programe të vetëdijesimit. Para se me fillu me biznese, do të ishte dashur që të trajnohen 80 mijë zyrtarët publikë të cilët nuk e kanë idenë se çka ndodh me sigurinë kibernetike”.
HaPiTe Space është themeluar nga Hallakate, Pixels dhe Telegrafi, me qëllim të diskutimit të temave të ndryshme për komunitete të ndryshme. /Telegrafi/