Site icon Telegrafi

Caka-Nimani: Gjykata Kushtetuese ka kontribuar në rritjen e besimit publik në sundim të ligjit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e meriton vendin më mes gjykatave kushtetuese, anëtare të Konferencës Evropiane dhe Asociacionit Frankofon të gjykatave Kushtetuese dhe se pret që kjo të realizohet gjatë vitit të ardhshëm.

Kështu ka thënë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani në konferencën ndërkombëtare në temën “Kontributi i Gjykatave Kushtetuese në mbrojtjen dhe forcimin e vlerave themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, të organizuar me rastin e 14 vjetorit të themelimit të Kushtetueses.

Caka-Nimani tha se tentativën e pareshtur për anëtarësim në këto dy forume, shpresojnë të realizohet në vitin e ardhshëm, edhe me mbështetjen e gjykatave prezentë në konferencën, pasi qëllimi i deklaruar i tyre drejt avancimit të bashkëpunimit në kontekst të drejtësisë kushtetuese, humb kuptimin nëse në forumet përkatëse mbizotërojnë argumentet e pakicës lidhur me identitetin e shtetëror të Kosovës.

“Ndërtimi i drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës nuk ka patur referencë në traditën kushtetuese të të kaluarës por aspiratën e të ardhmes…Gjykata Kushtetuese e Kosovës e meriton vendin më mes gjykatave kushtetuese, anëtare të Konferencës Evropiane dhe Asociacionit Frankofon të gjykatave Kushtetuese. Tentativa e pa rreshtuar e gjykatës tonë për t’u anëtarësuar në këto dy forume të gjykatave simotra, uroj të kurorëzohen suksesshëm përgjatë vitit 2024 edhe me mbështetjen e gjykatave të pranishme sot këto. Qëllimi i deklaruar i tyre drejt avancimit të bashkëpunimit në kontekst të drejtësisë kushtetuese, humb kuptimin nëse në forumet përkatëse mbizotërojnë argumentet e pakicës lidhur me identitetin e shtetëror të Kosovës, të cilat do të duhej të ishin përmbyllur përfundimisht në vitin 2010 me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me përputhshmërinë e të drejtës ndërkombëtarë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës“, tha ajo.

Zuhtu Arsan, kryetar i Gjykatës Kushtetues në Turqi, ka thënë se gjykata në këtë shtet është themeluar në vitet 60-ta dhe kompetencat e saj janë zgjeruar në vitin 2010, ku edhe fuqia është zgjeruar për të shqyrtuar edhe dekretet presidenciale.

“Duke respektuar sundimin e ligjit, Gjykata Kushtetuese ka kontribuar në rritjen e besimit publik në sundimi të ligjit dhe në legjitimitetin e institucioneve publike. Këto janë parimet kryesore që priten nga një Gjykatë Kushtetuese. Prandaj, Gjykata Kushtetuese me detyrën e mbajtjes së ligjit, është bërë e pa zëvendësuar në demokracitë e sotme “, tha ai.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, Holta Zaqaj derisa tregoi ndikimin dhe veprimin e gjykatës në Shqipëri, tha se roli i gjykatave kushtetuese është në rritje për shkak se janë interpretuese Kushtetuese.

“Kur ushtron kontroll kushtetutshmërie, gjykata nuk kufizohet domosdoshmërisht te norma ligjore ekzistuese por ajo mund të ushtroj ndikim juridik në përmbajtjen e normave ligjore të ardhshme. Megjithatë, ushtrimi i kësaj veprimtarie kërkon veprimin dhe zgjidhjen nga organi kompetent përmes miratimit në nëse është kjo e nevojshme dhe marrjen e strategjive për të adresuar çështjet që ka evidentuar Gjykata Kushtetuese“, tha Zaqaj.

Punimet e konferencës u organizuan në tri seksione në të cilat prezantuan panelistë të shquar, kryetarë e gjyqtarë të gjykatave Kushtetuese e Supreme nga vendet e ndryshme të botës, si dhe personalitete të ndryshme nga fusha e sundimit të ligjit.

Përndryshe, Gjykata Kushtetuese ka shënuar 14 vjetorin e themelimit me aktivitete të ndryshëm, ku ky institucion është vlerësuar lartë nga përfaqësues vendor e ndërkombëtar. /KP/

Exit mobile version