Telegrafi

Ndërtimi i bazës ushtarake në “Kodrën e Cërrnushës”, vijnë reagime nga Serbia

Foto: Arkiv

Pas lajmit se komuna e Mitrovicës Jugore ka ndarë truallin për ushtrinë e Kosovës për ndërtimin e bazës ushtarake te “Kodra e Cërrnushës”, këtë lajm mediat në Serbi janë munduar ta portretizojnë kinse si provokim nga ana e shqiptarëve.

Kështu gjatë një interviste për Kosova Online, profesori serb nga Fakulteti i Sigurisë në Beograd, Zoran Gragishiq, ka thënë se ndërtimi i kësaj baze “mund të cilësohet si provokim i radhës nga autoritetet në Prishtinë”, transmeton Telegrafi.

“Lajmi që po ndërtohet baza më e madhe ushtarake në Mitrovicë, personalisht e shoh si tentim frikësimi dhe presioni mbi serbët në Kosovë. Nëse kemi parasysh të gjitha deklaratat që vijnë kohëve të fundit nga Prishtina, gjithçka përshtatet mirë në mozaikun e një sjellje agresive, duke bërë presion të vazhdueshëm mbi serbët që jetojnë në Kosovë”, pretendon profesori serb Dragishiq.

Kujtojmë që dje është marrë vendim që të ndërtohet baza ushtarake në “Kodrën e Cërrnushës”, që do të përdoret nga pjesëtarët e FSK-së. /Telegrafi/