Telegrafi

Ndërtimet pa leje në veri të Mitrovicës, ndalohen punimet në rreth 12 objekte

Ndërtimet pa leje në veri të Mitrovicës kanë bërë që ky rajon të përballet me sfida të mëdha në lidhje me ligjin dhe planifikimin urban.

Si rrjedhojë e kësaj, kohëve të fundit disa prej objekteve në këtë pjesë u janë ndërprerë punimet, pikërisht për shkak të mungesës së lejes nga institucionet përkatëse.

Drejtoria e Inspekcionit në komunën e Mitrovicës veriore, deri më tani ka ndaluar punimet në rreth 12 objekte.

Lexo po ashtu Drejtoria e Inspekcionit në veri të Mitrovicës ndalon ndërtimin e objekteve pa leje

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglanin.

“Sipas informacioneve janë rreth 12 objekte që u është ndaluar ndërtimi. Arsyeja e ndërprerjes së punimeve në këto objekte ka të bëjë sepse të njëjtat nuk kanë pasur leje ndërtimi nga Komuna”, ka thënë Uglanin.

Muaj më parë kryetari i kësaj komune, Erden Atiq bëri të ditur se punimet nuk do të vazhdojnë deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Drejtoria e Inspekcionit nga komuna e Mitrovicës Veriore ka vizituar vendpunishtet në të cilat kanë filluar ndërtimet e objekteve pa përfillur procedurat ligjore. Në mungesë të dokumentacioneve, janë vendosur shiritat me të cilat ndalohet vazhdimi i punëve deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Atiq. /Telegrafi/