Site icon Telegrafi

Ndërtimet pa leje në Prevallë, aktakuzë ndaj një personi

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”.

Sipas aktakuzës, nga data 16.09.2021 deri më datë 09.11.2021, në fshatin turistik Prevallë – Komuna e Prizrenit, saktësisht në zonën e tretë, afër rrugës kryesore Prevallë – Shtërpcë, i pandehuri kryen punë ndërtimore të kundërligjshme, në zonën e cila sipas ligjit përbën zonë të mbrojtur, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Ndërtim, bënë ndërtimin e tri mureve mbrojtëse si dhe një pllakë nga betoni, me material të vrazhdë, duke ndërhyrë në natyrë të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Në njoftim thuhet se ndërtimi është bërë përkundër faktit se ka qenë i vetëdijshëm se për këtë qëllim nuk posedon leje paraprake ndërtimore të lëshuar nga organet kompetente, ashtu që në datat e lartcekura gjatë inspektimit në terren të punimeve nga mbikëqyrësi i zonave të mbrojtura të Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” haset duke kryer punime.

Me këto veprime, i pandehuri B.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Ndërtimi pa leje”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Telegrafi/

Exit mobile version