Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca ka mbajtur sot një konferencë ku ka prezantuar planin vjetor të auditimit 2024/2025, si dhe gjetjet kryesore të dy raporteve të auditimit të performancës dhe një auditimi të pajtueshmërisë.
Raportet kanë të bëjnë me efikasitetin dhe efektivitetin e procesit te ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës; efikasitetin në realizimin e projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’, si dhe raportin e auditimit të pajtueshmërisë për Kompaninë për Menaxhimin e Deponisë se Mbeturinave të Kosovës, (KMDK).
Ndërtimet e larta në Komunën e Prishtinës
“Në lidhje me auditimin “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës” konkluzioni i përgjithshëm është se rezultatet auditimit kanë treguar se Komuna e Prishtinës gjatë periudhës 2021-2023, nuk ishte efikase as efektive në procese nga lëshimi i lejeve të ndërtimit deri te pajisja me certifikata të përdorimit.
Ka mungesë të kontrolleve gjatë lëshimit të kushteve ndërtimore, trajtim jo të barabartë të kërkesave për leje ndërtimore, mungesë të inspektimeve të mirëfillta dhe të rregullta si dhe mekanizmi për pajisje me certifikatë të përdorimit nuk është efektiv. Vetëm 15% e lejeve të lëshuara për ndërtim gjatë viteve 2017-2021 janë pajisur me certifikatë të përdorimit”, tha ajo.
Tutje, auditorja theksoi se sipërfaqja ndërtimore e lejuar në leje të lëshuar krahasuar me kushtet ndërtimore është tejkaluar deri në 56%, apo në tri deri në pesë kate më të larta se sa janë paraparë në plan.
“Vonesat në lëshimin e lejeve ndërtimore sillen nga 3 deri në 30 muaj. Kjo rrjedhë si rezultat i shpërndarjes jo te duhur te detyrave tek zyrtarët përgjegjës, ku një zyrtari i është deleguar trajtimi i rreth 100 lejeve të ndërtimit, ndërsa një tjetri vetëm dy. Për më tepër zyrtari i mbingarkuar kishte edhe detyra të tjera shtesë brenda komunës, psh zyrtari në fjalë kishte 455 detyra shtesë, ndërsa ai që kishte trajtuar vetëm dy leje ndërtimi kishte vetëm 48 detyra.
Gjithashtu, shpërndarja e inspektimeve tek inspektorët nuk është proporcionale, nga 10 inspektor sa ishin, vetëm një inspektori i janë ndarë mbi 50% e lëndëve që ne kishim testuar, ndërsa pjesa tjetër u ishte caktuar nëntë të tjerëve. Koncentrimi i procesit të lëshimit të lejeve dhe inspektimit tek numër i kufizuar i zyrtarëve nxit dyshime për objektivitetin dhe integritetin e proceseve të dhënies se lejeve dhe inspektimit”, tha tutje ajo.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:
Efikasiteti në realizimin e projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca tutje ka theksuar se për realizimin e këtij projekti, janë siguruar financime të konsiderueshme nga disa burime ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat pas përtëritjes se disa marrëveshjeve nga Infrakos dhe Qeveria e Kosovës dhe palët e tjera, në vitin 2023 kanë arrit ne vlerë 250 milion euro.
Në vitin 2015 Infrakos duke u mbështetur nga Qeveria e Kosovës, ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 208 milion euro me BERZh, Bankën Evropiane të Investimeve, e ratifikuar më pas në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo vlerë, 50% janë nënshkruar grante nga BE, BERZh, dhe Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (tutje KIBP).
Tutje, në vitin 2023 nevoja për hua shtesë si pasojë e vonesës në realizim ka bërë që të kërkohen edhe 38 milionë euro hua dhe katër milion fonde tjera të cilat e rrisin vlerën totale të projektit në 250 milion euro.
Gjatë viteve 2015-2024 për projektin ‘Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10 Hani i Elezit – Leshak’ janë paguar 92,3 milionë euro apo 37% e fondeve të ndara. Nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se realizimi i shpenzimeve për këtë projekt nga viti 2008 deri në vitin 2020 ka qenë shumë i ulët. Një progres më i mirë fillon në vitin 2021, përderisa në vitet 2022-2023, pati një rritje të ekzekutimit të punëve dhe shpenzimet arritën në rreth 45% krahasuar me periudhën paraprake. Megjithatë, deri sa po raportojmë, projekti është ende larg realizimit të objektivave të përcaktuara.
Konkluzioni ynë i përgjithshëm është se, Infrakos së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Ekonomisë nuk ishin efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit për Rehabilitimin e Hekurudhave të Linjës 10.
Disa nga mangësitë kryesore të identifikuara përfshijnë:
Realizimi i projektit është përcjellë me vonesa të tej zgjatura në çdo fazë si dhe kosto përtej planifikimit – Rehabilitimi i kësaj linje nuk është bërë në kohën e paraparë përkundër ndryshimeve të shumta që i janë lejuar punëkryesit krahasuar me kontratat fillestare.
Ndryshime të mëdha në kontrata dhe nevoja për huamarrje shtesë si shkak i vlerësimit jo të duhur të nevojave
Njësia për Implementimin e Projektit nuk kishte arritur të ushtroj ndikimin e saj në realizimin e projektit
Mbyllja e linjave Fushë Kosovë-Hani i Elezit dhe Fushë Kosovë-Mitrovicë, përveç jo transparente ka edhe kostot e saj
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:
Raporti i auditimit të pajtueshmërisë për Kompaninë për Menaxhimin e Deponisë se Mbeturinave të Kosovës
Ndërkaq, auditimi i tretë i kryer ka të bëjë më vlerësimin e pajtueshmërisë me Kontratën ”Mirëmbajtja dhe Riparimi i Infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së, ndryshe Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës”.
“Kompania në shtator të vitit 2021 kishte lidhur kontratë publike kornizë ‹›Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së me vlerë totale indikative 1,467,753€ për periudhën 3 vjeçare (36 muaj). Ndërsa sipas auditimit shpenzimet për këtë kontratë deri në qershor 2023 ishin 1,717,046€.
Konkluzioni i auditimit është se Kompania nuk ka arritur të bëj menaxhimin e kontratës sipas kërkesave ligjore. Devijimi nga kushtet e kontratës është material për faktin se: në tetë pozicione lidhur me menaxhimin e kontratës, sasitë e parashikuara me kontratën kornizë ishin tejkaluar mbi limitin e lejuar ligjor prej 30% ndërkohë që 46 pozicione tjera nuk ishin realizuar fare. Pra, tejkalimet e sasive të kontraktuara për pozicione të caktuara ishin me një kosto shtesë prej rreth 1 milion euro, mbi pragun e lejuar prej 30%. Tejkalimet sasiore të këtyre pozicioneve ishin prej 60% deri në 3900%. Vlera e sasive të kontraktuara për këto 8 pozicione ishte 304 mijë euro, ndërsa vlera e sasive që janë shpenzuar për këto pozicione ishte 1.3 milion euro”.
Sipas Spancës, bazuar në analizat tona konsiderojmë që kontrata kishte ndryshim thelbësor sa i përket sasive.
“Si rezultat i kësaj, nëse krahasojmë furnizimet e realizuara të kësaj kontrate me çmimet e ofertës së dytë të përgjegjshme të kësaj procedure rezulton që kostot e furnizimeve të tilla do të ishin më të ulëta për rreth 850 mijë euro;
Realizimi i kësaj kontrate kishte mungesë të dokumentimit dhe mospërputhje të konsiderueshme midis sasive të faturuara dhe atyre të dokumentuara për zhavorr dhe orët e punës së makinerive. Pjesë të konsiderueshme të punëve dhe furnizimeve të pranuara mungojnë në dokumentacion, duke rezultuar në vlera të faturuara, por të pajustifikuara;
Në 11 raste kemi vërejtur se raportet e pranimit ishin nënshkruar nga personeli i kompanisë, mirëpo kompania nuk ka arritur të na ofroj dëshmi se nga kush janë themeluar ato komisione të pranimit. Pra, pagesat janë certifikuar për punë të pranuara nga komisione që nuk janë caktuar me vendim të Kryeshefit Ekzekutiv, si person i autorizuar.
Për të eliminuar mangësitë e identifikuara dhe për të adresuar çështjet për përmirësim për këtë auditim kemi dhënë 4 rekomandime, të cilat mund të gjenden në raportin e auditimit”.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu. /Telegrafi/