Site icon Telegrafi

Ndërtesa më e lartë e Evropës Perëndimore do të ndërtohet në një qytet me vetëm 7,000 banorë (Foto)

Derisa një kompani vendase njoftoi planet për të ngritur një rrokaqiell 320 metra të lartë, shumica e njerëzve në Danimarkë, e sigurisht edhe në botë, nuk e kishin as idenë se ku ishte edhe Brande, një qytet prej 7,000 banorësh.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “The Bestseller Tower”, e projektuar nga studioja arkitekturore Dorte Mandrup, nuk do të jetë vetëm ndërtesa më e lartë në Danimarkë, por më e larta në Evropën Perëndimore.

“Do të jetë një pikë referimi që vendos Branden në hartë”, ka thënë Anders Krogh Vogdrup, kreu i ndërtimeve për Bestseller, pasi këshilli vendor votoi projektin gjatë muajit të kaluar.

E themeluar në qytet në vitin 1975, gjiganti i modës Bestseller ka arritur shumë përtej origjinës së tij lokale.

Pronari i saj, Anders Holch Povlsen, është njeriu më i pasur i Danimarkës dhe markat “Vero Modo” dhe “Jack and Jones” janë kudo.

Rrokaqielli do të jetë selia kryesore e gjigantit të modës Bestseller dhe do të jetë dhjetë metra më e lartë se Kulla Shard në Londër.

Kompleksi do të bëhet shtëpia e 30 dyqaneve, objekteve arsimore, akomodimit të hoteleve dhe zyrave të shumta të Bestseller.

Ndërtesa do të dominojë lartësitë e ndërtesave dhe fshatrave rreth saj dhe do të jetë e dukshme nga rreth 60 kilometra largësi. /Telegrafi/

Exit mobile version