Site icon Telegrafi

Ndërtesa 5-katëshe zhvendoset në një vend tjetër, për t’i lënë vendin një kompleksi banesor

Këmbët robotike lëvizin ndërtesën e shkollës, të ndërtuar në vitin 1935, nga një vend në tjetrin.

Një ndërtesë e vjetër 85-vjeçare, e cila është përdoru si shkollë, kohët e fundit ka ‘lëvizur’ nga një vend në tjetrin në Shangai, për tu vendosur përfundimisht në vendin e saj të ri, transmeton Telegrafi.

Ndërtesa pesëkatëshe u ngrit së pari nga toka dhe u transportua nga A në B duke përdorur atë që njihet si teknologjia “makina e ecjes”. Gati 200 mbështetës janë vendosur poshtë ndërtesës për të vepruar si këmbë robotike, sipas CNN.

“Është si t’i japësh paterica ndërtesës që të mund të ngrihet e më pas të ecë”, thotë menaxheri i projektit Lan Wuji.

Ka edhe sensorë të bashkangjitur, me të cilët lëvizja mund të kontrollohet. Teknologjia u zhvillua nga Shanghai Evolution Shift në vitin 2018 dhe u përdor për herë të parë në Shanghai për të zhvendosur një ndërtesë historike.

Ndërtesa e vjetër u zhvendos për ti lënë vendin një kompleksi të ri banesor, i cili pritet të përfundojë në vitin 2023.

Gjatë 18 ditëve, ndërtesa, e cila tani do të funksionojë si një qendër për edukimin kulturor, u rrotullua 21 gradë dhe u zhvendos 62 metra. /Telegrafi/

Exit mobile version