Poeti dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqi, ka ndërruar jetë të dielën, në moshën 58-vjeçare. Varrimi i të ndjerit do të bëhet të martën, në Prishtinë.
Çapriqi ishte i lindur më 15.01.1960 në Ulqin. Ai ka qenë profesor i Letërsisë Shqipe, Gazetarisë dhe Letërsisë së Përgjithshme në UP.
Po ashtu ka të botuar studime dhe artikuj të ndryshëm nëpër revista brenda vendit por edhe jashtë tij.
Çapriqi mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988.
Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore.
Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme. Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht.
Ishte Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherësh themelues në vitin 2004.
Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.