Politikani i njohur gjerman dhe një nga anëtarët më të shquar të CDU-së, Wolfgang Schauble, ka vdekur në moshën 81-vjeçare, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Schauble ishte në qeverinë e Angela Merkelit gjatë krizës së borxhit të eurozonës, dhe ka formësuar politikën gjermane në një sërë postesh të profilit të lartë – duke përfshirë ministrin e Brendshëm, atë të Financave dhe presidentin e Bundestagut gjerman, transmeton Telegrafi.
Politikani i CDU-së ishte deputet i Bundestagut gjerman që prej 13 dhjetorit 1972. Schauble, i cili ka lindur në Freiburg më 18 shtator 1942, ka qenë gjithmonë i zgjedhur drejtpërdrejt në parlament në zonën e tij elektorale të Offenburg në Baden.
“Kjo është unike në historinë e parlamentarizmit gjerman”, tha politikani i SPD, Barbel Bas, në 50-vjetorin e Schauble si deputet vitin e kaluar.
Bas mori postin e presidentit të Bundestagut nga Schäuble pas zgjedhjeve federale në vitin 2021.
Karrierën e tij në gjykatën e rrethit në Offenburg e filloi në vitin 1978, atë politike më 1969 dhe tashmë tre vjet më vonë u zgjodh në Bundestag duke fituar mandatin e zonës në Offenburg.
Karriera e tij ministrore filloi në vitin 1984, kur kancelari Helmut Kohl e emëroi atë Ministër për Çështjet Speciale.
Në vitin 1989, u emërua Ministër i Brendshëm dhe drejtoi negociatat e ribashkimit në emër të Republikës Federale të Gjermanisë. /Telegrafi/