Site icon Telegrafi

Ndërron jetë pacienti 62-vjeçar, shkon në 45 numri i viktimave nga COVID-19 në Shqipëri

Ndërron jetë pacienti 62-vjeçar me koronavirus në spitalin Infektiv. Ministria e Shëndetësisë njofton se ai ishte shtruar në spital prej dy javësh, ndërsa në 10 ditët e fundit kishte qenë i intubuar.

Ai nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Bashkë me 62-vjeçarin shkon në 45 numri i viktimave nga koronavirusi në vendin tonë.

“Rreth dy javë pas shtrimit në spital, pas 10 ditësh në terapi intensive, i intubuar, një 62 vjeçar nga Tirana ka humbur jetën nga COVID19, megjithë përpjekjet e mjekëve, terapisë medikamentoze intensive, pavarësisht se nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i rikujton qytetarëve rëndësinë që ka respektimi i masave mbrojtëse, pasi referuar ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, virusi është prezent, ka transmetueshmëri dhe nuk e ka humbur forcën e tij virusale.

Nga fillimi i epidemisë, 45 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19. Aktualisht janë të shtruar mbi 80 pacientë në shërbimin infektiv dhe janë mbi 790 raste aktive me COVID19 në vend”, njofton MSH.

ISHP njoftoi sot për 33 raste të reja me koronavirus në vend duke vijuar kështu shifrat e larta të të prekurve gjatë javëve të fundit në Shqipëri.

Rastet e reja sot janë konstatuar nga 239 testime të kryera, një numër shumë i ulët ky krahasuar me ditë e mëparshme, ku numri i testimeve vërtitej në rreth 300 të tilla duke nxjerrë shumë më tepër raste pozitive./abcnews.al

 

Exit mobile version