Ndërron jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, Ragip Hajdini, i njohur si “daja” nga Kosova, i cili ishte arrestuar për grabitjen në aeroportin e Rinasit.
50 vjeçari vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ragip Hajdini nga Peja ishte njëri nga gjashtë të arrestuarit për këtë grabitje, po ashtu kishte të kaluar kriminale.
Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn.
Hajdini rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kilogrami ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me pesë persona të tjerë.
Grabitja ndodhi në orën 15:00 më 9 prill 2019 brenda në pistën e aeroportit të Rinasit. Pas grabitjes policia u vu në ndjekje të fugonit me mbishkrimin “Hetim Tatimor” që u përdor për grabitjen nga autorët, aty ku më pas nga shkëmbimi me armë mbeti i vrarë Admir Murataj.
Për grabitjen në Rinas, u arrestuan ndër të tjera Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Oltian Veseli, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Ragip Hajdini. /Ballkanweb/