Telegrafi

Ndërron jetë nënoficeri i FSK-së, Baki Ejupi

Nënoficer i FSK-së, Baki Ejupi i cili punonte në batalionin e reagimit të shpejtë në Mitrovicë ka vdekur sot pasi ka kryer testimet fizike.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Telegrafin, zyrtari për informim i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala.

“Po e konfirmojmë se ka ndërruar jetë kapter Baki Ejupi”, ka thënë Shala.

Ndërkaq në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se Baki Ejupi ndërroj jetë pas një ataku kardiak.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Sot ndërroi jetë nënoficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Kapter Baki Ejupi

Ministria e Mbrojtjes njofton se sot në vendin e tij të punës, pas një ataku kardiak, ka ndërruar jetë nënoficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Kapter Baki Ejupi.
Kapteri Baki Ejupi, ka lindur më 08.05.1974 në fshatin Sekiraqë – Komuna e Podujevës.

Ai ka shërbyer me përkushtim të madh në Brigadën e Reagimit të Shpejtë të Batalionit të Tretë në Mitrovicë, që nga themelimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Baki Ejupi qysh herët iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, Brigada 152, ndërsa me krijimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ka shërbyer në Zonën e Pestë të TMK-së.

Kapter Baki Ejupi, pas vetës ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.

Për homazhet dhe ceremoninë e varrimit të ndjerit do të njoftoheni me kohë. /Telegrafi/