Telegrafi

Ndërron jetë në moshën 75 vjeçare – jeta dhe veprimtaria e aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi

Ka ndërruar jetë aktori i mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi.

Artisti është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare, gjersa lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij me anë të një njoftimi.

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Mirush Kabashi ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi”, thuhet në njoftim.

Mirush Kabashi

Por, kush është Mirush Kabashi?

Ai ka lindur më 17 prill të vitit 1948 në Shkodër dhe është rritur në qytetin e Durrësit.

I ndjeri me origjinë ishte nga Kosova, pasi babai i tij lindi në Gjakovë. Më 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit.

Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.

Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.

Mirush Kabashi

Karriera dhe veprimtaria artistike

Shquhet si njëri nga aktorët më të mirë në Shqipëri, i rreth 100 roleve në teatër dhe filma.

I njëjti shpesh ka qenë edhe prezantuesi i aktiviteteve të shumta artistike.

Kabashi mes tjerash është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.

Ka dhënë një kontribut të madh po ashtu në kinematografinë shqiptare, e një pjesë ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të ndryshme.

Më i veçanti mbetet ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Mirush Kabashi

Çmimet dhe nderimet

Mirushi u shpall ‘Aktori më i mirë’ me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.

Me të njëjtin rol, u vlerësua ndër aktorët më të mirë edhe në ‘Festivalin Teatror Ballkanik’ të zhvilluar në Korinth të Greqisë.

Në vitin 2002 fitoi gjithashtu çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist ne Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”.

Kabashi u vlerësua me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm në një event në Egjipt.

Në 2014 u nderua me titullin “Nderi i Kombit” si dhe ndër vite është shquar si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Disa nga projektet që ka realizuar ndër vitesh:

“Ne dhe Lenini”

“Nata”

“Edhe ashtu edhe kështu”

“Binarët”

“Nxënësit e klasës time”

“Dora e ngrohtë”

“Shoqja nga fshati”

“Zani partizani”

“Emblema e dikurshme”. /Telegrafi/