Telegrafi

Ndërron jetë në moshën 40-vjeçare prezantuesja britanike që vuante nga kanceri, Deborah James

Aktivistja, blogerja, prezantuesja dhe ish-mësuesja, Dame Deborah James, ka vdekur në moshën 40-vjeçare.

Ajo kishte marrë kujdesin e fundit të jetës për kancerin e zorrëve në shtëpi dhe kishte mbledhur miliona euro për kërkimet mbi sëmundjen e kancerit.

Prezantuesja e ‘podcas’t-it të BBC-së “You, Me and Big C” u nderua në maj në shenjë mirënjohjeje për mbledhjen e fondeve të saj.

Foto: Bowelbabe/Instagram

Deborah, nënë e dy fëmijëve, u diagnostikua me kancer në zorrë në vitin 2016. Familja e saj e përshkroi atë si “të mahnitshme” dhe një “frymëzim”.

Lexo po ashtu Prezantuesja britanike që vuan nga kanceri, Deborah James në një postim zemërthyes tregoi si babai ia kreh flokët: Nuk kam më forcë

Ata kanë njoftuar vdekjen e saj përmes një postimi në faqen e saj në Instagram. “Jemi thellësisht të pikëlluar të njoftojmë vdekjen e Dame Deborah James; gruaja, vajza, motra, nëna më e mahnitshme”, thuhet në njoftim.


Familja e saj tha se Dame Deborah ndau përvojën e saj për kancerin për të “rritur ndërgjegjësimin, për të thyer barrierat, për të sfiduar tabutë dhe për të ndryshuar bisedën rreth kancerit. “Edhe në momentet e saj më sfiduese, vendosmëria e saj për të mbledhur para dhe ndërgjegjësim ishte frymëzuese”.

Ajo ndërroi jetë e qetë e rrethuar nga familja e saj. /Telegrafi/