Ka ndërruar jetë Naim Zabërgja, babai i Dijamant Zabërgjës i cili u vra në një sulm terrorist para tri vitesh në Munih të Gjermanisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasada e Kosovës në Gjermani, të cilët u kanë shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e Naim Zabërgjës, transmeton Telegrafi.
“Në sulmin e terroristit David Sonboly me datën 22 Korrik 2016 pranë Stadiumit Olympia në Munih të Bavarisë, iu vra djali i vetëm, Dijamant Zabërgja. Sot, 3 vite më pas, ndërroi jetë babai i tij, Naim Zabërgja. Humbja e Dijamantit dhe shuarja e sotme e Naimit, nuk mund të përshkruhen me fjalë. Nga dhembja, nga tragjedia. U bashkofshi në qiell, Diamant dhe Naim Zabërgja. Ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e mbetur, të afërmit dhe miqtë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në sulmin terrorist të 22 korrikut 2016, në mesin e viktimave ishin tre shqiptarë./Telegrafi/