Kitaristi legjendar i “AC/DC”, Malcolm Young, ka ndërruar jetë në moshë 64 vjeçare. Ai ka vdekur i rrethuar nga familja e tij, pas një lufte të gjatë me demencën.
“Me pikëllim të madh ju njoftojmë për vdekjen e Malcolm Young, burrit të dashur, babait, gjyshit dhe vëllait”.
“I njohur për veprat e tij muzikore, Malcolm ishte kantautor, kitarist, performues, producent dhe vizionar, i cili ka qenë frymëzim për shumëkënd”.
“Që nga fillimi, ai e ka ditur se çfarë dëshiron të arrijë dhe së bashku me vëllanë e vogël, pushtuan skenën botërore duke dhënë gjithçka në secilin koncert”.
“Gjithmonë i gatshëm për të bërë gjithçka për fansat “, shkruan në njoftimin e familjes së tij.
I njohur për ritmin e tij të fuqishëm në kitarë që i ndihmoi bendit nga Sydney të shkruhej në librat e historisë, Malcolm në tre vitet e fundit ka vuajtur nga demenca.
Për turneun e fundit të grupit, në vend të rokerit ishte angazhuar nipi i tij, Stevie.
Sipas Angus Young, Malcolm i kishte shfaqur simptomat e demencës para se ta incizonin e albumin e vitit 2008, “Black Ice”, mirëpo vazhdonte të dinte se çfarë dëshironte të bëjë.
Malcolm Young e themeloi grupin “AC/DC” në nëntor të vitit 1973 dhe pastaj e ftoi vëllanë e tij, Angus, që t’i bashkëngjitej.
Në vitin 1974 nisën turneun në Australi me këngëtarin e atëhershëm, Dave Evans. /Telegrafi/