Site icon Telegrafi

Ndërron jetë ish-ushtari Sabahajdin Cena, PDK dhe AAK vlerësojnë lart figurën e tij

Ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabahajdin Cena.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë ngushëlluar familjarët dhe miqtë e Cenës, duke e vlerësuar si zërin intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira.

Nga PDK theksojnë se figura intelektuale dhe emblematike e profesorit Cena, i cili ishte edhe luftëtar i UÇK-së, do të nderohet e kujtohet përherë me respektin më të madh.

“Me dhembje morëm lajmin për vdekjen e atdhetarit e profesorit të shquar, Sabahajdin Cena, i cili kontribuoi për vite me radhë edhe në Degën e PDK-së në Rahovec, prej themelimit duke qenë edhe kryetar i kësaj dege për një mandat.

Figura intelektuale dhe emblematike e profesorit Cena, i cili ishte edhe luftëtar i UÇK-së, do të nderohet e kujtohet përherë me respektin më të madh.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e profesor Cenës!”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se me vargjet e poetëve shqiptarë u jepte zemër ushtarëve të UÇK-së, të etur për lirinë e vendit.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e intelektualit dhe atdhetarit të madh, Prof. Dr Sebahajdin Cena! Ai ishte zëri intelektual dhe çlirimtar i Kosovës në ditët më të vështira. Me vargjet e poetëve shqiptarë u jepte zemër ushtarëve të UÇK-së, të etur për lirinë e vendit”, ka shkruar Haradinaj.

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabahajdin Cena, në janar të 2019-së kishte konfirmuar se ishte i ftuar nga Gjykata Speciale.

Përmes një statusi të publikuar në Facebook, Cena kishte konfirmuar pranimin e kësaj ftese, duke thënë se do të intervistohet lidhur me aktivitetet e tij gjatë kohës sa ka qenë i angazhuar në UÇK.

“E ndiej për obligim qytetar që t’iu informoj se unë kam pranuar ftesë që më datë 14 janar 2019 të paraqitem pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar lidhur me aktivitetin dhe angazhimin tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë periudhës së luftës kam qenë pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut”, kishte shkruar ai.

Ndërkaq, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës kishte deklaruar se UÇK ka zhvilluar një luftë të drejtë.

“Luftë të pastër nuk ka. Çdo luftë ka të këqijat e veta. Mirëpo ne kemi zhvilluar një luftë të drejtë”, ishte shprehur Sabahajdin Cena. /Telegrafi/

Exit mobile version