Telegrafi

Ndërron jetë ish-lojtari i gjeneratës së artë të Prishtinës, Shefqet Sinani

Në moshën 65-vjeçare ka ndërruar jetë ish-futbollisti i Prishtinës, Shefqet Sinani, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës që i ka shprehur familjes ngushëllime.

Dita e premte ka qenë e kobshme për dashamirët dhe njohësit e sportit kosovar, e në veçanti futbollit, pasi ka ndërruar jetë legjenda Shefqet Sinani.

Njoftimi për vdekjen e Sinanit në moshën 65-vjeçare ka ardhur nga FFK-ja, por edhe familja e tij.

“Shefqet Sinani ishte pjesë e gjeneratës së artë të KF Prishtina, me cilësi të jashtëzakonshme si futbollist dhe një ndër idhujt e mbarë tifozëve shqiptar në vitet e 80-ta”.

“Shefqeti ishte personalitet me vlera të larta, njeri i sinqertë dhe bujar, por edhe punëtor i madh e fjalë pak. Kontributi i tij në zhvillimin e talenteve të reja ishte i madh ndër vite, si në klubin e tij të zemrës, KF Prishtina, ashtu edhe në projektet e ndryshme të FFK-së”.

“Ikja e tij nga kjo botë është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për tërë komunitetin e futbollit, andaj në këto momente të vështira jemi pranë jush për të Jua lehtësuar dhimbjen e ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të FFK-së.

Ndryshe, Sinani ka zhvilluar mbi 300 ndeshje me Prishtinën për dhjetë vite 1977-1987, ndërsa së fundmi punoi si koordinator i FFK-së në disa projekte të grupmopshës U-15. /Telegrafi/