Site icon Telegrafi

Ndërron jetë në moshën 39-vjeçare ish hendbollisti i njohur pejan, Valbon Shala

Kampioni i shumëfishtë i Kosovës në hendboll dhe ish-reprezentuesi, Valbon Shala, ka vdekur sot (e mërkurë).

Sporti i Kosovës dhe në veçanti hendbolli kanë marrë sot një lajm të kobshëm. Ish-hendbollisti i njohur, Valon Shala ka ndërruar jetë në moshën 39-vjeçare.

Valbon Shala ka luajtur shumë gjatë për skuadrën e vendlindjes, Besën e Pejës. Me Besën ka fituar shumë tituj të kampionit e Kupa të Kosovës, ndërsa ka luajtur me sukses edhe në skenën evropiane.

Është shquar për angazhimin e madh dhe luftën sportive për ngjyrat e skuadrës së qytetit. Ai ishte pjesë e Besa Famiglia në debutimin evropian, në vitin 2005. Ka luajtur në garat evropiane deri në vitin 2012.

Valboni ka luajtur në pozitën e pivotit, ku është shquar me paraqitje. Karrierë ka bërë edhe në disa skuadra tjera të vendit tonë si Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës. Në vitet e fundit karrierë ka bërë në Gjermani.

Lajmi është konfirmuar nga vet klubi pejan, Besa Famgas, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Lajmi për vdekjen e Valbonit na ka pikëlluar të gjithëve, jemi të shokuar. Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe më të sinqerta!”.

“Gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit tonë, Valboni ishte shembull se si luftohet për ngjyrat e klubit!”.

“Në këto momente të dhimbjes së madhe jemi pranë jush që ta përballoni më lehtë dhimbjen për më të dashurin tuaj”, thuhet në njoftimin e Besa Famgas.

Ky lajm i kobshëm është konfirmuar edhe nga Federata e Hendollit e Kosovës me anë të një komunikate.

“Federata e Hendbollit e Kosovës me trishtim ka pranuar njoftimin për vdekjen e hershme të ish-hendbollistit të dalluar, Valbon Shala”.

“Valboni, një hendbollist dhe djalosh shembullor, ka vdekur të mërkurën në moshën 39-vjeçare. Kështu Federata e Hendbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i hendbollit në vendin tonë ka mbetur pa një person të dashur e të respektuar nga të gjithë”, thuhet në komunikatën e FHK.

/Telegrafi/

Exit mobile version